Shqipëria do të zhvillojë një miqësore kundër Gjibraltarit të enjten, më 4 shtator, në stadiumin “Europa Point”, vetëm pesë ditë përpara ndeshjes vendimtare me Letoninë në Tiranë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri i Kombëtares kuqezi, Sylvinho, deklaroi në konferencën për shtyp se objektivi është vetëm fitorja dhe përgatitja maksimale për sfidën zyrtare.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nuk besoj te miqësoret – çdo 90 minutësh duhet marrë seriozisht. Kemi mungesa, por besoj te lojtarët që kemi. Do të shohim disa emra të rinj, si Kacurri, Shpendi dhe Çokaj, të cilët janë entuziastë dhe krenarë për këtë ftesë,” tha Sylvinho.
Tekniku brazilian foli edhe për rastin e Adrian Bajramit, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën. “Fola me të 30 minuta. Nuk ndihem fajtor, kjo ndodh kudo në botë. I uroj suksese,” u shpreh ai. Ndërkohë, portieri i ri Simon Simoni është bashkuar me ekipin për të zëvendësuar Elhan Kastratin, që nuk ishte në 100% të formës.
Sa i përket gjendjes së Armando Brojës, Sylvinho dha sinjale pozitive: “Broja është shumë mirë fizikisht. Ka ndryshuar mentalitet dhe po rritet. Është e rëndësishme që të luajë, të ndihmojë ekipin dhe të fitojë eksperiencë.” Ai theksoi se pas miqësores me Gjibraltarin do të vendoset edhe formacioni për duelin vendimtar me Letoninë: “Nuk kemi shanse të tjera përveç fitores. Lojtarët duhet të futen në fushë për të dhënë maksimumin dhe për ta shijuar fanellën e Kombëtares.”