Aeroporti i Kopenhagenit u mbyll të hënën në mbrëmje pas zbulimit të disa dronëve të mëdhenj në hapësirën ajrore. Radari i Kastrupit sinjalizoi praninë e tyre, duke detyruar pezullimin e ngritjeve dhe uljeve që nga ora 20:26. Si pasojë, mbi 20 fluturime u anuluan ose u vonuan, ndërsa dhjetëra të tjera u devijuan drejt aeroporteve të afërta në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji.
Sipas policisë, janë parë 2-3 dronë të mëdhenj, ndërsa prania e forcave të rendit në zonë është rritur ndjeshëm. Po atë mbrëmje, rreth orës 21:00, u raportua për dronë edhe pranë një zone ushtarake në Oslo. Dy persona nga Singapori u arrestuan nga autoritetet norvegjeze, megjithatë nuk ka ende të dhëna që incidentet të kenë lidhje mes tyre.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, duke nxjerrë në pah rrezikun e përdorimit të dronëve në hapësirat ajrore të ndjeshme.