Në fillim të kësaj jave, në ambientet e Spitalit Rajonal të Elbasanit, drejtoresha Zheni Gjergji ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Shefat e Shërbimeve të këtij spitali, ku në qendër të diskutimit ka qenë angazhimi për transformimin e institucionit në një qendër moderne, efikase dhe humane të kujdesit shëndetësor.

Në këtë mbledhje pune, Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji, ka kërkuar nga strukturat drejtuese të spitalit përkushtim maksimal dhe bashkëpunim të ngushtë, me qëllim që qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë rajonit të marrin një shërbim të denjë, me cilësi të lartë dhe në kushte dinjitoze.

“Qytetari është në qendër të çdo vendimi që marrim. Spitali i Elbasanit duhet të ofrojë një kujdes shëndetësor të standardeve më të mira, me profesionalizëm dhe respekt për çdo pacient”, – u shpreh drejtoresha Zheni Gjergji gjatë takimit.

Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan në disa pika kyçe që lidhen me modernizimin e shërbimeve, rritjen e efikasitetit, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për personelin mjekësor dhe infermieror.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e trajnimeve të vazhdueshme për stafin, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit dhe të garantohen protokolle të unifikuara e bashkëkohore të trajtimit mjekësor.

Drejtoresha Gjergji nënvizoi se Spitali Rajonal i Elbasanit duhet të shndërrohet në një model për institucionet e tjera shëndetësore të vendit, jo vetëm për nga cilësia e shërbimit, por edhe për nga marrëdhënia njerëzore me pacientin.

Takimi u mbyll me një plan konkret veprimi dhe angazhimin e të gjitha strukturave për të çuar përpara këtë proces transformimi, që synon ta kthejë spitalin në një qendër shembullore të kujdesit shëndetësor në nivel rajonal.


