Në një moment kur Elbasani po konfirmon stabilitet dhe ambicie në elitën e futbollit shqiptar, zërat me eksperiencë mbeten gjithmonë pikë referimi. Muharrem Dosti, ish-trajner dhe ish-portier i njohur i verdhebluve, analizon për “Panorama Sport” me qetësi dhe realizëm ecurinë e skuadrës, duke u ndalur te barazimi me Egnatian, përballja e radhës me Dinamon dhe strategjia e klubit në merkato.
Një lexim i ftohtë i situatës, mes besimit për të tashmen dhe hapjes së derës për objektiva më të mëdhenj. Sipas Dostit, Elbasani ka hedhur baza të forta për një sezon dinjitoz dhe, nëse ruan ekuilibrat aktualë, mund të synojë edhe më shumë.
EGNATIA
Dosti ndalet fillimisht te barazimi 2-2 ndaj Egnatias, duke e vlerësuar pikën e marrë përballë kampionëve në fuqi, por pa fshehur keqardhjen për mënyrën si u administrua ndeshja.
“Të jem realist, duke parë sesi shkoi ndeshja, të vjen keq që u mbyll në barazim. Të jesh në avantazh të dy golave dhe më pas të barazohesh, normalisht lë shije të hidhur. Megjithatë, luajtëm kundër Egnatias dhe jo më kot është kampione në fuqi dhe kryesuese e kampionatit. Loja mund të administrohej më mirë dhe ndoshta, me pak më shumë kujdes në disa episode, mund të dilnim me tri pikë. Sa i përket polemikave me gjykimin, nuk dua të hyj në një fushë për të cilën nuk jam kompetent”, u shpreh ai.

DINAMO
Sa i përket sfidës së radhës ndaj Dinamos, ish-portieri beson se Elbasani ka të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin. Sipas tij, kundërshtari nuk është më ai ekip i sezonit të kaluar.
“Mendoj se me rivalët e ‘Final 4’, në përgjithësi, Elbasani ka zhvilluar ndeshje të mira dhe rezultatet nuk kanë munguar. Nuk është Dinamo e vitit të kaluar, pasi ka pasur shumë largime, ndryshe nga Elbasani që ka ruajtur kompaktësinë. ‘Final 4’ e kemi të padiskutueshme, por ndoshta tani duhet të fillojmë të mendojmë edhe për më lart”, thekson Dosti.
MERKATO
Në fund, Dosti ndalet edhe te merkatoja e janarit, e cila ka qenë e qetë në kampin verdheblu. Ai e sheh këtë si një zgjedhje të qëllimshme të klubit për të mos prishur ekuilibrat e një grupi që ka funksionuar mirë deri tani.
“Mendoj se grupi është i mirë dhe ndoshta është vendimi i duhur të mos bëhen shumë ndërhyrje. Shpesh, kur lëvizjet janë të shumta, sidomos në janar, rrezikon të prishet harmonia e ekipit. Më mirë pak afrime, por cilësore. Është përfolur për dy lojtarë të huaj, mbetet për t’u parë. Gjithsesi, shpresat për një kampionat dinjitoz Elbasani i ka te grupi aktual”, e mbylli Dosti.


