Dita e Verës, festa mijëravjeçare e shqiptarëve :Rrëfimi i rrallë i shkrimtarit elbasanas Hyjni Ceka (1935-2019)për ritualet, historinë dhe shpirtin e kësaj dite

 

Dita e Verës, një nga festat më të bukura dhe më të lashta të shqiptarëve, vjen nga thellësitë e shekujve iliro-arbëreshë dhe mbart në vetvete një trashëgimi të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe shpirtërore. Studiuesi dhe shkrimtari i njohur elbasanas Hyjni Ceka(1934-2019) e përshkruan këtë festë si një simbol të ripërtëritjes së jetës, të gjallërimit të natyrës dhe të vazhdimësisë së identitetit shqiptar.

Sipas tij, më 14 mars, në çdo cep të trojeve shqiptare nga Skrapari e Labëria deri në Lugun e Drinit njerëzit zgjohen me tingujt e zileve dhe këmborëve, duke përshëndetur ardhjen e pranverës. Por, edhe pse festa kremtohet në gjithë hapësirën shqiptare, tempulli i saj shpirtëror ka qenë gjithmonë në trevën e Elbasan.

Në lashtësi, në këto anë ndodhej faltorja e famshme e Zanës së Çermenikës, e njohur në botën antike si Diana Candaviensis hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës. Adhurimi për këtë hyjni u përhap në gjithë hapësirën mesdhetare, duke dëshmuar rrënjët e thella të kësaj tradite në kulturën ilire.

Në mijëra vjet histori, trojet shqiptare u përballën me pushtime dhe ndryshime të mëdha, por shqiptarët arritën ta ruajnë këtë festë me fanatizëm, duke e përcjellë nga brezi në brez. Edhe përpjekjet e kohës bizantine për ta lidhur këtë festë me kremte të tjera fetare nuk arritën ta zbehin traditën e saj.

Në trevën e Elbasan, Dita e Verës u shndërrua në një ritual të madh popullor. Ullishtat, burimet dhe kodrat përreth qytetit bëheshin vendtakimi për njerëzit që festonin pranverën. Vende si Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Shëngjoni dhe lugina e Shkumbinit mbusheshin me këngë, valle dhe manifestime popullore që sillnin deri në ditët tona gjurmë të ceremonive të lashta.

Në këtë festë, një rol të veçantë kishin gratë e qytetit. Në çdo shtëpi të Elbasan përgatiteshin ëmbëlsirat tradicionale, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte revania, një specialitet që kërkonte mjeshtëri të veçantë dhe që konsiderohej si “patentë” e zonjave elbasanase. Më vonë në traditë u futën edhe ballakumet, të cilat sot janë simboli më i njohur i kësaj feste.

Në sofrën e Ditës së Verës vendoseshin edhe fruta të ruajtura nga viti i kaluar, mjaltë, arra dhe ushqime të tjera që simbolizonin begatinë dhe pjellorinë e natyrës. Ndërkohë, fëmijët dhe të rinjtë mbanin në dorë veroren, një fill të kuq e të bardhë që simbolizonte gjallërinë e jetës dhe mbrojtjen nga e keqja.

Një tjetër ritual shumë i rëndësishëm ishte “Kama”, tradita e shpërndarjes së “hiseve” mes familjeve dhe krushqive. Fëmijët dërgonin nëpër shtëpitë e të afërmve pjesë nga ushqimet e festës dhe ktheheshin me dhurata, duke forcuar kështu lidhjet familjare dhe shoqërore.

Sipas studiuesit Hyjni Ceka, në thelb të kësaj feste qëndron adhurimi për Nënën Natyrë dhe për pjellorinë, por edhe respekti për nënën, gjyshen dhe gruan simbol i vazhdimësisë së jetës.

Në kohët moderne, sidomos që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, elbasanasit e ruajtën këtë traditë dhe e kthyen atë në një festë gjithëkombëtare shqiptare. Çdo vit, më 14 mars, qyteti i Elbasan kthehet në një qendër pelegrinazhi kulturor, ku mijëra njerëz nga e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare mblidhen për të festuar pranverën dhe për të nderuar një nga traditat më të lashta të identitetit shqiptar.

Dita e Verës, siç e përshkruan edhe Hyjni Ceka, nuk është thjesht një festë. Ajo është një trashëgimi mijëravjeçare që lidh shqiptarët me rrënjët e tyre ilire, me natyrën dhe me shpirtin e kombit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Me sallën e re, “Onufri” bëhet qendër e artit dhe komunitetit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën...

Nga nesër hyn në fuqi Sistemi Europian i Hyrje-Daljes (EES)

TIRANË, 9 prill/Albania Express News/ Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë...