Fitorja e arritur ndaj Bylisit, edhe pse e vuajtur, erdhi pikërisht në momentin më të nevojshëm për Elbasanin. Pas tri rezultateve negative radhazi – një barazim dhe dy humbje – verdheblutë kishin nevojë urgjente për një reagim që t’i rikthente besimin dhe moralin në skuadër. Tri pikët e fundit jo vetëm i mbajnë ende në zonën e sipërme të renditjes, por treguan se ekipi i Gvozdenoviçit di të përballet me presionin dhe të reagojë në momentet e vështira.
Ashtu si në shumë ndeshje të këtij sezoni, gjithçka u zgjidh nga momentet e klasit të Ibrahima Diallos. Sulmuesi afrikan u bë protagonist absolut, duke realizuar një dopietë – një gol nga goditja e dënimit dhe tjetrin nga pika e bardhë e penalltisë, të cilën e fitoi po vetë. Ishte një performancë që konfirmon rëndësinë e tij në fazën ofensive dhe rolin e padiskutueshëm që ka në sistemin e Gvozdenoviçit.
“Jam i lumtur për golat, por më shumë për skuadrën që arriti të fitojë ndeshjen. Vinim pas dy humbjesh dhe kërkohej reagim. Jam i kënaqur sepse ekipi tregoi karakter dhe luajti si një grup i bashkuar. Golat janë për skuadrën, për shokët dhe për tifozët që na mbështesin çdo javë.”
Sulmuesi 22-vjeçar ka qenë në fushë në vetëm pesë ndeshje këtë sezon, pasi në tri të tjera mungoi për shkak dëmtimi. Megjithatë, ka arritur të shënojë tri gola dhe në çdo ndeshje ku ka luajtur është përzgjedhur në formacionin ideal të javës, ndërsa në tre raste është shpallur “Lojtari i ndeshjes”. Një statistikë që tregon ndikimin e tij të menjëhershëm në sukseset e Elbasanit.
“Nuk kërkoj lavdi personale. Dua vetëm të ndihmoj skuadrën time të arrijë objektivat,” vijoi ai. “Golat kanë kuptim vetëm kur sjellin fitore. Kjo është ajo që më motivon çdo ditë. Kemi një grup të bashkuar, me djem që japin maksimumin, dhe unë jam i lumtur të jem pjesë e këtij projekti që synon ta mbajë Elbasanin aty ku e meriton.”
Në fund, afrikanin e pret një tjetër sfidë e madhe: përballja me Tiranën. “Për ne çdo ndeshje është një sfidë e madhe. Fitorja ndaj Bylisit na jep besim për vazhdimin dhe ndaj Tiranës do të hyjmë në fushë për të dhënë dhe marrë maksimumin,” përfundoi Diallo, që tashmë është shndërruar në simbolin e rikthimit dhe forcës së re verdheblu.

