Elbasani ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke treguar se është gati të jetë një nga pretendentet serioze të Superligës. Me katër javë të para të dominuara si në rezultat, ashtu edhe në lojë, verdheblutë kanë rikthyer besimin dhe entuziazmin tek tifozët e tyre.
Një rol kyç në këtë nisje të fortë e ka padyshim trajneri, i cili ka sjellë mentalitetin e duhur fitues dhe një frymë të re në skuadër. Elbasani po tregon se ka jo vetëm lojtarë cilësorë, por edhe organizim, qartësi taktike dhe një shpirt gare që bie në sy çdo javë.
Vlerësimi i ish-futbollistit Dhimitër Gjika
Ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Dhimitër Gjika, ka folur për ecurinë e skuadrës, pritshmëritë në vazhdim dhe pikat më të forta të ekipit aktual. “Elbasani për momentin po dominon Superligën. Trajneri ka sjellë një mentalitet fitues dhe kjo duket në fushë, si me formacionin, ashtu edhe me mënyrën e menaxhimit të lojës. Shpirti i garës dhe profesionalizmi po bien shumë në sy, gjë që nuk është e lehtë për një skuadër që ka vetëm vitin e dytë në Superiore.”
Ndeshja e fundit ndaj Partizanit
Gjika vlerëson se Partizani nuk është ndër ekipet më të forta këtë sezon për shkak të lëvizjeve në merkato. “Elbasani tregoi qartësisht se është më i organizuar dhe më i balancuar si skuadër, me raste dhe lojë të mirë, si në aspektin taktik, ashtu edhe teknik.”
Sfida me Teutën
“Ndeshja me Teutën është shumë e rëndësishme, jo vetëm për pikët, por edhe për moralin e skuadrës. Kam shumë besim te trajneri dhe lojtarët se do të marrim tri pikë, të cilat do t’i cilësoja ‘të arta’ për vazhdimësinë dhe vetëbesimin e skuadrës.”
Roli i Bunjakut dhe afrimet e reja
Bunjaku ka qenë vendimtar me dy gola kyç në këtë nisje sezoni. “Është një futbollist me cilësi të padiskutueshme dhe nëse furnizohet më shumë me topa, mund të jetë edhe më rezultativ. Di të bëjë diferencën edhe në momente të vështira.”
Gjithashtu, afrimet e reja po japin rezultate që në fillim. “Merita është e klubit, e presidentit dhe e trajnerit, i cili është familjarizuar shumë shpejt me skuadrën. Grupi është ndërtuar me kujdes dhe vizion të qartë, gjë që po jep frytet e veta.”