Devijimi i qarkullimit për automjetet që udhëtojnë nga Tirana drejt Juglindjes përmes Gramshit, Moglicë dhe Maliq në drejtim të Korçë dhe anasjelltas ka nxjerrë në pah një problem thelbësor: mungesën e sinjalistikës së mjaftueshme orientuese në këtë segment rrugor.Por e njënjta problematikë mbizotëron edhe në aksin rural Spathar-Rruga Antike Egnatia -Dardhë -Hotolisht ku ka një fluks të madh autoveturash që qarkullojnë pas shembjes së rrugës te Arrat e Gurrës në Dragostunjë.

Megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërmarrë masa urgjente për menaxhimin e situatës, procedurat administrative dhe afatet ligjore të zbatimit po kthehen në pengesë për vendosjen e menjëhershme të sinjalistikës së domosdoshme. Në kushtet kur fluksi i mjeteve është rritur ndjeshëm për shkak të devijimit, mungesa e tabelave orientuese rrit rrezikun për konfuzion, vonesa dhe incidente të mundshme në rrugë.
Banorët e zonave përkatëse dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë, duke theksuar se sinjalistika nuk është një element dytësor, por një domosdoshmëri për sigurinë rrugore dhe mbarëvajtjen e trafikut. Në një situatë emergjente, çdo vonesë burokratike përkthehet në vështirësi konkrete për qytetarët dhe transportin ndërqytetas.

Zgjidhja kërkon përshpejtim të procedurave dhe koordinim më efikas institucional, në mënyrë që segmenti alternativ të jetë jo vetëm funksional, por edhe i sigurt për të gjithë përdoruesit e tij.

