Deputetja Sara Mila në promovimin e librit “Lidership” të Henry Kissinger: “Një dritare për të kuptuar politikën dhe diplomacinë moderne”

Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Sara Mila, ka qenë sot e pranishme në aktivitetin e organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në ambientet e Kryeministrisë, ku u promovua libri “Lidership” i diplomatit të shquar amerikan Henry Kissinger. Libri vjen për lexuesin shqiptar me një parathënie të veçantë nga Kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetin e saj social, deputetja Mila e cilësoi këtë event si një moment të rëndësishëm reflektimi mbi lidershipin dhe diplomacinë moderne. Ajo ndau me ndjekësit e saj përvojën personale si studente e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, duke theksuar ndikimin që veprat e Kissinger kanë pasur në formimin e saj akademik.

“Kissinger ka qenë një nga figurat më të rëndësishme dhe më ndikues në të kuptuarit e diplomacisë moderne. Librat e tij, si ‘Diplomacy’ dhe ‘World Order’, më kanë shoqëruar gjatë studimeve si tekste bazë, jo vetëm për teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe për mënyrën sesi politika e jashtme ndërtohet mbi ekuilibrin, vizionin dhe durimin”, shkruan deputetja Mila.

Duke folur për librin “Lidership”, ajo theksoi se vepra përmbledh profile të liderëve të mëdhenj të shekullit XX dhe ofron një analizë të thelluar mbi ndikimin që personaliteti, karakteri dhe vizioni kanë në drejtimin e kombeve, përkrah rrethanave historike.

Deputetja Sara Mila e konsideroi këtë event si një mundësi të vyer për të diskutuar mbi rolin e diplomacisë në kohët moderne, duke e përshkruar atë si “art i menaxhimit të paqes”. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e leximit të veprës së Kissinger nga të rinjtë shqiptarë:

“Ftoj të gjithë të rinjtë, sidomos ata që kanë pasion politikën dhe diplomacinë, ta bëjnë këtë libër pjesë të bibliotekës së tyre. Është një dritare për të kuptuar më thellë jo vetëm lidershipin, por edhe dinamikat e marrëdhënieve ndërkombëtare që formësojnë të ardhmen tonë.”

Eventi i sotëm u vlerësua si një hap i rëndësishëm në promovimin e mendimit diplomatik dhe kulturës politike në vend, duke sjellë në vëmendje ide dhe figura që kanë formësuar historinë botërore dhe që mbeten referencë e pazëvendësueshme për brezat e rinj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME