Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun Elbasan, znj. Sara Mila, ka ndarë një histori të veçantë nga jeta e përditshme, e cila, përtej mesazhit personal, përcjell një thirrje njerëzore e sociale që prek zemrat e qytetarëve, të kthejmë vëmendjen drejt atyre që kanë më pak, veçanërisht fëmijëve që hedhin hapat e parë në rrugën e dijes.
Në një takim të ngrohtë me një vogëlushe nga qyteti i Elbasanit, e cila këtë vit nis klasën e parë, deputetja Mila ka përjetuar nga afër emocionet dhe sfidat e një familjeje që jeton me ndihmë ekonomike, por që nuk ka humbur kurrë shpresën. “Kalova një ditë të mbushur me emocione pranë A-së, një vajzë e vogël, por me një shpirt të madh. Zgjodhëm çantën, mjetet shkollore, veshjet e para dhe disa rroba të tjera për stinën që vjen. Ajo që më mbeti më shumë në mendje ishte buzëqeshja e saj e pastër, gëzimi i pakushtëzuar, që asnjë vështirësi nuk e zbeh”, shkruan znj. Mila.
Vogëlushja jeton me të ëmën, e cila përballet me një sëmundje të rëndë, por që çdo ditë gjen forcë për të rritur vajzën me dashuri dhe përkushtim. Në këtë rrugëtim të vështirë, mbështetja e institucioneve shtetërore dhe vendore është thelbësore.
Deputetja Mila vë në dukje se familja përfiton pagesën për aftësinë e kufizuar, shërbime sociale nga shteti dhe ndihmë për banesë sociale nga Bashkia Elbasan. Por, siç thekson ajo, “burimi më i madh i forcës së kësaj familjeje është shpresa që nuk shuhet”.
Përmes kësaj përvoje të ndjerë, znj. Mila thekson rëndësinë e solidaritetit dhe angazhimit qytetar: “Në këtë fundjavë, teksa çdo fëmijë përgatitet për ditën e parë të shkollës, dua të ndaj një thirrje prej zemrës: le t’i shohim ata që kanë më pak e sidomos ata që hedhin hapin e parë në udhën e dijes. Kjo histori nuk është vetëm një moment human, por një kujtesë e fuqishme se politika ka një mision më të thellë kur afrohet me jetën reale, me hallet dhe shpresat e njerëzve të thjeshtë”.
Për znj. Sara Mila, përfaqësimi politik nuk ndalet në sallën e Kuvendit, por fillon aty ku lind nevoja, ku duhen ndërtuar ura mes institucioneve dhe qytetarëve, sidomos për të ndihmuar fëmijët që janë e ardhmja e vendit. “Sepse kur një fëmijë buzëqesh, gjithë e ardhmja ndriçohet”, përmbyll ajo mesazhin e saj.