Deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, diplomohet në Universitetin e Shkodrës dhe apelon për investim në arsim e turizëm

Deputetja socialiste e Qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, ka ndarë me ndjekësit e saj një reflektim personal të fortë, teksa mbyll një kapitull të rëndësishëm në jetën universitare: përfundimin e studimeve master në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Përtej diplomës, mesazhi i saj është një thirrje për të rinjtë, për sistemin arsimor dhe për të ardhmen e turizmit shqiptar.

Në një postim të ndjerë dhe të sinqertë, Koçeku rrëfen se dy vite më parë kishte dyshime mbi rëndësinë e vazhdimit të studimeve pas nivelit bachelor, duke qenë e angazhuar në sipërmarrje dhe në terren. Megjithatë, këmbëngulja e nënës së saj dhe dëshira për të investuar më tej në veten dhe vendin e saj e shtynë drejt një rruge që, siç thotë vetë ajo, i ka ndryshuar këndvështrimin.

Gjatë këtyne dy viteve kam kuptu se nuk asht e domosdoshme shkollimi jashtë për me kenë profesionist i mirë. Universiteti i Shkodrës ka edhe profesionistë të shkëlqyer që japin kontribute dhe e shohin si mision e jo veç si detyrë.

Deputetja e re vlerëson cilësinë e mësimdhënies në universitetin e qytetit të saj, duke theksuar rëndësinë e investimit në arsim në zonat periferike dhe rurale. Me përvojë të pjesshme edhe jashtë vendit, ajo njeh sfidat që Shqipëria ka për të arritur standardet e kërkuara, por beson fort se rruga drejt zhvillimit kalon përmes fuqizimit të universiteteve vendase.

Në këtë frymë, Koçeku bën edhe një thirrje publike për të rinjtë që kanë përfunduar maturën:

Zgjedhni Universitetin e Shkodrës. Dhe ata që kanë pasion për Shqipninë, për natyrën e saj dhe për turizmin, ju ftoj të zgjidhni degën e turizmit. Sepse në momentin ku ndodhet sot Shqipnia, kena nevojë shumë për profesionistë autentikë në turizëm.

Pjesë e përfundimit të studimeve ishte edhe një punim shkencor mbi Luginën e Shalës, një nga perlat natyrore të Shqipërisë që gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Ky punim, siç thekson vetë Koçeku, i është dedikuar Dukagjinit dhe prindërve të saj, një gjest mirënjohjeje për rrënjët dhe përkrahjen familjare.

Në mënyrë të veçantë, ajo falënderon edhe udhëheqësen e punimit, Prof. As. Dr. Mirjam Dibrën, duke e cilësuar si një profesioniste të jashtëzakonshme dhe shembull për akademinë.

Përtej një arritjeje personale, ky moment shërben si dëshmi se politika, sipërmarrja dhe akademia nuk janë rrugë të ndara, por mund të përputhen nëse udhëhiqen nga përkushtimi dhe dëshira për të kontribuar në vendin tënd.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME