Deputetja Klodiana Çapja reagon ashpër ndaj ndërtimit të Auto Moto Parkut në Elbasan: “Fyerje për qytetarët, shpërdorim fondesh publike”

Deputetja Klodiana Çapja ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të qeverisë për ndërtimin e një Auto Moto Parku në Elbasan me një kosto prej 188.5 milionë euro, duke e quajtur këtë projekt një “fyerje për qytetarët” dhe “shpërdorim të pastër të fondeve publike”.Në një deklaratë publike, Çapja shprehet se është shqetësuese që prioritetet e investimeve nuk përputhen me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Elbasanit, të cilët përballen me probleme të thella dhe të zgjatura, që nuk marrin zgjidhje nga institucionet.“Ndërtimi i një Auto Moto Parku me një kosto stratosferike për një pistë 4.4 kilometra, është një fyerje për qytetarët që çdo ditë përballen me mungesë uji, ndotje ajri, falimentim të bizneseve dhe trafik të ngarkuar,” shprehet deputetja e PD .Sipas saj, fondet që po përdoren për këtë projekt duhej të ishin orientuar drejt emergjencave të vërteta të qytetit, duke përmendur si shembull:
• Ndërtimin e bypass-it në hyrje të Bradasheshit, që do të lehtësonte ndjeshëm trafikun;
• Përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit, i cili lë qytetin pa ujë në ditët më të nxehta të verës;
• Reduktimin e ndotjes së ajrit, që sipas saj po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Në deklaratën e saj, Çapja nënvizon gjithashtu gjendjen e rënduar ekonomike të qytetit.“Dhjetëra biznese në qytet po falimentojnë për shkak të mungesës së mbështetjes dhe të një klime jo të favorshme për zhvillim ekonomik. Kjo nuk është vetëm mungesë vizioni, por edhe shpërdorim i pastër i fondeve publike.”Ajo e cilëson këtë lloj vendimmarrjeje si një shembull flagrant të ndarjes së prioriteteve të shkëputura nga realiteti social dhe ekonomik i Elbasanit duke i bërë thirrje institucioneve për rishikim urgjent të këtij investimi dhe fokusim te nevojat themelore të qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME