Deputeti socialist i Librazhdit, Olsi Komici, ka ndarë detaje nga mbledhja e fundit e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke vënë theksin tek një qasje më e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi konkret i problematikave në terren.
Në një postim në rrjetet sociale, Komici bën të ditur se një nga porositë kryesore të mbledhjes ishte rritja e angazhimit të deputetëve pranë komunitetit, për të dëgjuar çdo shqetësim dhe për ta trajtuar atë në mënyrë institucionale. Sipas tij, kjo filozofi pune tashmë është pjesë e përditshmërisë së ekipit që përfaqëson zonën e Librazhdit.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë vazhdimisht në terren, pranë njerëzve, duke dëgjuar nga afër shqetësimet dhe nevojat e tyre”, shprehet Komici, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me ekipin e tij lokal.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në grupin parlamentar u përqendrua edhe tek raportimi i drejtueses së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ku deputeti i Librazhdit ngriti disa çështje konkrete që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Në fokus të ndërhyrjes së tij ishin problematikat e legalizimeve, si dhe trajtimi ligjor i pronave që preken nga projekti strategjik i Korridorit VIII, një ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Komici nënvizoi se cilësia e shërbimeve publike mbetet një tregues kyç i mirëqeverisjes dhe se përmirësimi i tyre është një prioritet i vazhdueshëm për mazhorancën socialiste.
Në të njëjtën linjë, ai preku edhe çështjen e reformës administrativo-territoriale, duke theksuar se synimi është ndërtimi i bashkive më të forta dhe më funksionale, që t’i përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve.
Mesazhi i deputetit socialist mbyllet me një reflektim realist mbi punën e deritanishme dhe sfidat përpara: “Punë janë bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë”, duke sinjalizuar vijimësinë e angazhimit politik dhe institucional në shërbim të komunitetit.


