CNN: Pentagoni miraton raketat “Tomahawk” për Ukrainën

Pentagoni i ka dhënë Shtëpisë së Bardhë dritën jeshile për t’i siguruar Ukrainës raketa “Tomahawk” me rreze të gjatë veprimi, pasi vlerësoi se kjo nuk do të ndikonte negativisht në rezervat amerikane, duke e lënë vendimin përfundimtar politik në duart e Presidentit Donald Trump, sipas CNN.

Më herët, Trump tha gjatë një dreke pune me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk do të preferonte t’i jepte raketat Ukrainës pasi “Tomahawk”  mund t’i duheshin vendit për të mbrojtur.

Shtabi i Përbashkët informoi Shtëpinë e Bardhë për vlerësimin e tij këtë muaj, përpara se Trump të takohej me Zelensky, i cili ka kërkuar raketa të synojnë më efektivisht objektet e naftës dhe energjisë në brendësi të Rusisë.

Raketat “Tomahawk” kanë një rreze veprimi prej rreth 1,000 miljesh.

Trump tha disa ditë përpara takimit me Zelensky se SHBA-ja kishte një sasi te madhe me “Tomahawk” që potencialisht mund t’i japin Ukrainës.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë u habitën, kur Trump ndryshoi në mënyrë dramatike qëndrimin e tij disa ditë më vonë, duke thënë gjatë fjalimit hapës në një drekë pune në Shtëpinë e Bardhë me Zelensky se SHBA-ja “kishte nevojë” për “Tomahawks”.

Më pas, presidenti Trump i tha Zelensky pas dyerve të mbyllura se SHBA-ja nuk do t’i jepte ato – të paktën për momentin.

Vendimi i Trump erdhi një ditë pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, i cili i tha Trump se raketat “Tomahawk” mund të godisnin qytetet e mëdha ruse si Moska dhe Shën Peterburgu – dhe se nuk do të kishin ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës, por do të dëmtonin marrëdhënien SHBA-Rusi.

Trump nuk i ka hequr plotësisht raketat nga tavolina, thanë më parë burime për CNN, dhe administrata ka hartuar plane për t’i ofruar ato Ukrainës shpejt nëse Trump jep urdhrin.

Javët e fundit, Trump ka qënë aq i frustruar me mungesën e gatishmërisë së Putinit për të shqyrtuar seriozisht bisedimet e paqes ne Ukraine – saqë miratoi sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës, javën e kaluar dhe anuloi – për momentin – një takim të planifikuar me Putinin në Budapest.

Ndërsa Pentagoni nuk ka shprehur shqetësime në lidhje me rezervat, zyrtarët e mbrojtjes amerikane ende po merren me mënyrën se si Ukraina do të stërvitet dhe do të vendosë raketat.

“Ka ende disa çështje operacionale që do të duhet të zgjidhen që Ukraina të jetë në gjendje t’i përdorë raketat në mënyrë efektive”, sipas burimeve.

Raketet “Tomahawk” lëshohen më shpesh nga anijet sipërfaqësore ose nëndetëset, por Marina e Ukrainës është shumë e varfër, kështu që raketat ka të ngjarë të duhet të lëshohen në tokë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME