ÇIKLIZËM/ Dyrrotakët sfidojnë motin ekstrem në Dajt, ja kampionët e çiklokrosit

Federata Shqiptare e Çiklizmit ka hapur kalendarin vjetor të garave për vitin 2026 duke zhvilluar Kampionatin Kombëtar të Çiklokrosit në Parkun Kombëtar të Dajtit. Një event i mbajtur në kushte mjaft të vështira atmosferike, duke e kthyer këtë aktivitet në një sfidë të vërtetë për të gjithë pjesëmarrësit.

Terreni i rënduar dhe moti i pafavorshëm i dhanë garës një intensitet edhe më të madh, por njëkohësisht e bënë atë më spektakolare dhe konkurruese. Pavarësisht vështirësive, sportistët treguan një nivel të lartë përgatitjeje fizike dhe teknike, duke përballuar me sukses çdo pengesë të trasesë. Gara u karakterizua nga rivalitet i fortë, këmbëngulje dhe shpirt gare, elemente që tregojnë rritjen e vazhdueshme të çiklizmit shqiptar, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, vlerësoi pozitivisht organizimin e kampionatit, duke theksuar standardin e lartë të aktivitetit dhe paraqitjen dinjitoze të sportistëve në të gjitha kategoritë.

Për sa u përket rezultateve, në radhët e femrave vendin e parë e meritoi Nelia Kabetaj e Studentit. Në kategorinë Elitë/ U-23, triumfi i takoi një ustai të vjetër të çiklizmit shqiptar, Olsian Veliajt të Tiranës. Duke kaluar te moshat, për junior kampion u shpall Markelian Bedulla i Skënderbeut, ndërsa për kadet vendin e parë e zuri Clayson Kabetaj i Flamurtarit.

Në fund u zhvillua edhe ceremonia e çmimeve, ku kryetari i dyrrotakut shqiptar, Anxhaku vlerësoi më të mirët e aktivitetit. Kujtojmë që çiklokrosi është një disiplinë që po promovohet fuqishëm në vitet e fundit nga FSHÇ, me sportistët që sfidojnë terrenin e vështirë, duke e kthyer këtë garë gjithnjë e më emocionuese.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME