Champions League ndez motorët, Barcelona, Bayern dhe Liverpool zbresin sonte në fushë

Kompeticioni më prestigjioz për klube në Evropë, UEFA Champions League, rikthehet këtë të martë me katër përballjet e para të fazës së 1/8-ave, që pritet të dhurojnë spektakël dhe emocione në stadiumet e kontinentit.

Ndeshja që hap këtë fazë luhet në Stamboll, ku Galatasaray pret Liverpool-in duke nisur nga ora 18:45. Skuadra turke vjen në këtë fazë pasi eleminoi Juventusin në play-off dhe synon të vazhdojë surprizën përballë anglezëve. Atmosfera e zjarrtë në stadium pritet të jetë një faktor i rëndësishëm për vendasit.

Megjithatë, Galatasaray do të ketë disa mungesa si Baltaci, Can Guner dhe Arda Unyay për shkak dëmtimi. Edhe trajneri i Liverpool, Arne Slot, përballet me një listë të gjatë mungesash: portieri Alisson Becker, Conor Bradley, Federico Chiesa, Ben Davies, Wataru Endo, Alexander Isak, Leoni dhe Williams nuk janë të gatshëm kryesisht për shkak të problemeve fizike.

Tre përballje të tjera zhvillohen në orën 21:00. Në Bergamo, Atalanta përballet me gjigantët gjermanë të Bayern Munich. Trajneri Raffaele Palladino do të duhet të bëjë pa të dëmtuarit Charles De Ketelaere, Ederson dhe Giacomo Raspadori, ndërsa Giorgio Scalvini mungon për shkak pezullimi. Në krahun tjetër, bavarezët kanë jashtë skuadre Hiroki Ito, Jamal Musiala, Ndiaye dhe portierin Manuel Neuer.

Në St James’ Park, Newcastle pret Barcelona në një tjetër duel interesant. Trajneri i katalanasve, Hansi Flick, nuk do të ketë në dispozicion Alejandro Balde, Andreas Christensen, Frenkie de Jong, Gavi dhe Jules Koundé. Edhe anglezët kanë mungesa të rëndësishme si Bruno Guimarses, Emil Krafth, Lewis Miley dhe Fabian Schar. Dy skuadrat u përballën edhe në fazën e ligës, ku Barcelona fitoi 2-1 më 18 shtator të vitit të kaluar.

Ndërkohë në Madrid, Atletico Madrid pret Tottenham Hotspur, në një sfidë që pritet të jetë shumë e luftuar mes dy skuadrave me ambicie për të avancuar më tej në turne.

E martë, 10 mars 2026
18:45 – Galatasaray vs Liverpool
21:00 – Atalanta vs Bayern Munich
21:00 – Atletico Madrid vs Tottenham Hotspur
21:00 – Newcastle United vs Barcelona

E mërkurë, 11 mars 2026
18:45 – Bayer Leverkusen vs Arsenal
21:00 – Bodø/Glimt vs Sporting CP
21:00 – Paris Saint-Germain vs Chelsea
21:00 – Real Madrid vs Manchester City

Palladino: “Me Bayern është si Mission Impossible, por ëndrrat ekzistojnë”

Trajneri i Atalantas, Raffaele Palladino, pranoi vështirësinë e përballjes me Bayern Munich, por theksoi se skuadra e tij do të luftojë për të realizuar një tjetër mrekulli.

“Do të jetë një natë magjike dhe duam ta shijojmë. Është një ëndërr të përballemi me një nga skuadrat më të forta në botë”, u shpreh Palladino.

Ai e përshkroi sfidën si një “Mission Impossible”, por shtoi se ekipi i tij beson tek surpriza.

“E dimë forcën e tyre, por ëndrrat ekzistojnë. Në stadiumin tonë duam t’ua bëjmë jetën sa më të vështirë dhe të përsërisim paraqitje të mëdha si ajo ndaj Borussia Dortmund”, tha ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME