Bylisi ka ndalur sot hapin e kampionëve në fuqi të Egnatias, në ndeshjen hapëse të Javës së 21-të të kategorisë Abissnet Superiore.
Në ndeshjen e zhvilluar në Ballsh, lojtarët e Mirel Josës arritën një barazim të vyer 2-2 përballë rrogozhinasve.
Jahaja kaloi miqtë në avantazh në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Me fillimin e pjesës së dytë vendasit arritën ta përmbysin rezultatin, në fillim me golin e Përgjonit në minutën e 50-të, e më pas Mustafa ktheu në gol penalltinë e dhënë në favor të vendasve në minutën e 57-të. Ishte Adjesa i cili në minutën e 70-të barazoi shifrat që do të qëndronin të pandryshuara deri në fundin e lojës.
Po sot në orën 16:30 në “Loro Boriçi” luhet takimi Vllaznia-Partizani.
Ndeshja tjetër e programuar për ditën e sotme, ajo mes Tiranës dhe Flamurtarit, është shtyrë në shenjë respekti dhe solidariteti pas ngjarjes tragjike që preku lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez.
Në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bëri me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë për nesër, në të njëjtën orë.
Po nesër, luhen edhe dy takime të tjera: Teuta-Vora (13:30) dhe AF Elbasani-Dinamo City (16:30).

