Policia e Brukselit ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka kryer disa arrestime pas përleshjeve në një proteste kundër masave shtrënguese të buxhetit, në të cilën morën pjesë dhjetëra mijëra demonstrues.
Policia tha se 80 000 njerëz kishin dalë në rrugë, ndërsa organizatorët thanë se deri në 140 000 kishin marë pjesë në demonstratën e thirrur nga tre sindikata të mëdha.
“Protesta ishte kryesisht paqësore, përveç përplasjeve të vogla në periferi”, sipas medias lokale.
“Policia përdori gaz lotsjellës ndaj një grupi protestuesish të maskuar – përpara se të arrestonte disa persona të tjere”, shkroi agjencia e lajmeve “Belga”.
Arrestime të tjera u kryen në lidhje me zjarret e vendosura sot në mëngjes përgjatë një rruge kryesore trafiku në Bruksel.
Greva dhe demonstrata në shkallë të gjerë e sindikatave shkaktuan ndërprerje të mëdha të trafikut ajror dhe shërbimeve publike në të gjithë Belgjikën.
“Në aeroportin më të madh të Belgjikës në “Zaventem”, pranë Brukselit, të gjitha fluturimet e nisjes u anuluan për shkak të largimit të stafit të sigurisë nga aeroporti, ndërsa disa fluturime drejt vendit u anuluan gjithashtu”, njoftoi aeroporti.
Nuk do të ketë fluturime që do të mbërrijnë ose nisen nga aeroporti i dytë më i madh i vendit, “Charleroi”, thuhet në faqen e internetit të aeroportit.
Tre sindikata të mëdha – CGSLB liberale, CSC e krishterë dhe FGTB e majtë – bënë thirrje për një protestë kombëtare kundër ndryshimeve në pensione dhe përfitimeve të papunësisë, si dhe rënies së fuqisë blerëse.

