“Ja ku është Sarkozi!”, brohoritën të burgosurit nga qelitë e burgut La Santé në Paris, në momentin kur ish-presidenti francez mbërriti për të nisur vuajtjen e një dënimi pesëvjeçar me akuzën e konspiracionit kriminal.
Vendimi, i marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e shpalli Sarkozy-n fajtor për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale të vitit 2007, me fonde të dyshuara që kishin ardhur nga regjimi i Muammar Gaddafit.
Pas përfundimit të formaliteteve, Sarkozy u dërgua në një qeli izolimi 11 m², pa telefon, por me një televizor të vogël dhe disa libra, mes tyre “Konti i Monte Kristos” dhe një biografi e Jezusit.
Në orët e para të mëngjesit, ish-presidenti u largua nga banesa dorë për dore me bashkëshorten Carla Bruni, ndërsa dhjetëra qytetarë e përshëndetën me flamuj francezë dhe brohoritje si “Turp për drejtësinë!”.
Në rrjetin X, Sarkozy publikoi një deklaratë ku theksoi pafajësinë e tij, duke e cilësuar gjyqin si një “skandal gjyqësor” dhe duke shtuar se “nuk po burgoset një ish-president, por një njeri i pafajshëm”.
Ndërkohë, gjykata theksoi se ai kishte dijeni për takimet mes bashkëpunëtorëve të tij dhe përfaqësuesve të regjimit libian, përfshirë Abdallah Senoussi, një zyrtar i dënuar për terrorizëm.
Kjo ngjarje ka shkaktuar trazira politike në Francë. Vizita e paralajmëruar e ministrit të Drejtësisë Gérald Darmanin në burg është cilësuar si e papërshtatshme, ndërsa presidenti Emmanuel Macron është kritikuar për takimin që zhvilloi me Sarkozy-n në Pallatin Élysée një ditë para se ai të nisej drejt burgut.
Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, e quajti këtë “presion të papranueshëm ndaj drejtësisë”. Ndërkohë, avokatët e ish-presidentit kanë apeluar vendimin dhe kërkuar lirimin e menjëhershëm, por sipas ligjit francez të vitit 2020, dënimi mund të nisë zbatimin edhe pa pritur vendimin përfundimtar të apelimit.