Blegtoria greke në prag kolapsi: mbi 300 mijë krerë të therur nga lija dhe murtaja

Blegtoria në Greqi po përjeton një nga krizat më të rënda të dekadave të fundit për shkak të përhapjes së lisë së dhenve e dhive dhe murtajës, dy sëmundje ngjitëse të njohura si zoonoza. Situata ka detyruar autoritetet të shpallin karantinë në rajone si Thesalia dhe Maqedonia Lindore.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë së Greqisë, gjatë 12 muajve të fundit janë therur mbi 300 mijë krerë bagëti të imta – 263 mijë për shkak të lisë dhe 38 mijë nga murtaja. Vetëm në 40 ditët e fundit humbjet nga lija kanë kaluar 100 mijë krerë, ndërsa që nga fillimi i vitit janë regjistruar 165 mijë humbje, afro 3.3% e tufës kombëtare.

Kjo situatë rrezikon seriozisht prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve, teksa përfaqësuesit e fermerëve paralajmërojnë se deri në fund të dimrit edhe produkte bazë si kosi mund të bëhen luks. Industria e djathit feta ka ngritur alarmin për mungesë të lëndës së parë.

Fermerët kanë artikuluar tre kërkesa kryesore:

  • Mbështetje ekonomike të menjëhershme
  • Kompensim i plotë për kafshët e humbura
  • Masa të forta për ndalimin e përhapjes së sëmundjes

Dëmshpërblimi për kafshët e therura llogaritet nga 250 deri në 500 euro për kokë, ndërsa deri tani janë shpërndarë mbi 30 milionë euro, me pritshmëri për fonde shtesë. Ndërkohë, më shumë se 1.000 blegtorë kanë mbetur pa punë. Fermerët paralajmërojnë protesta masive në Kardhicë, duke e quajtur këtë “betejë për mbijetesë”.

Ekspertët theksojnë se vaksinimi mbetet e vetmja zgjidhje reale, por virusi i lisë mbijeton deri në 6 muaj në mjedis, ndërsa mungesa e kontrolleve kufitare dhe e shërbimeve veterinare ka ndikuar në përhapjen e pakontrolluar të sëmundjes.

Pa masa të menjëhershme, e ardhmja e blegtorisë greke dhe prodhimeve tradicionale vihet seriozisht në rrezik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME