Tregu i punës në Shqipëri po shfaq shenja të qëndrueshme gjallërimi, ku kërkesa për punonjës vijon të mbetet e lartë në shumë sektorë të ekonomisë.
Portali zyrtar i punësimit “puna.gov.al”, po përdoret gjithnjë e më shumë nga bizneset dhe qytetarët si kanali kryesor për shpalljen dhe kërkimin e vendeve të lira të punës.
Në portal shpallen mesatarisht rreth 5500 vende të lira pune çdo muaj, çka dëshmon jo vetëm nevojën e tregut për fuqi punëtore, por edhe rritjen e besimit të punëdhënësve te ky instrument publik ndërmjetësimi.
Drejtorja e Drejtorisë së Shërbimeve të Tregut të Punës në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Gertiola Çepani, në një intervistë për ATSH-në bën të ditur se gjatë vitit 2025 sektorët me numrin më të madh të ofertave janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, tregtia me shumicë dhe pakicë, ndërtimi dhe shërbimet, industria përpunuese, telekomunikacioni, si edhe aktivitete të tjera profesionale dhe shërbime mbështetëse.
Çepani tha se bashkëpunimi mes portalit “puna.gov.al” dhe Zyrave të Punësimit ka dhënë rezultate konkrete, pasi mbi 25 mijë punëkërkues janë punësuar me mbështetjen e shërbimeve publike të punësimit, duke lehtësuar lidhjen mes ofertës dhe kërkesës në treg.
Çepani shpjegon se edhe shpërndarja e vendeve të lira të punës pasqyron zhvillimin ekonomik të vendit, ku pjesa më e madhe e ofertave janë përqendruar në qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani dhe Fieri, të cilat mbeten qendrat më aktive të punësimit.
“Nga të dhënat rezulton punëdhënësit po kërkojnë kandidatë me përvojë pune dhe me arsim të lartë, në nivelet Bachelor dhe Master”, shtoi ajo.
Profesionet më të kërkuara, për këtë kategori, tha Çepani, janë ekonomistë, menaxherë, specialistë komunikimi, zhvillues softuerësh, inxhinierë dhe juristë.
Në të njëjtën kohë, vijoi ajo, kërkesa mbetet e lartë edhe për punonjës me arsim të mesëm, sidomos në profesione si kamerierë, shitës në dyqane, shoferë mjetesh të rënda, kuzhinierë, banakierë dhe recepsionistë.
Ndërsa për personat me arsim të ulët, ofertat përqendrohen kryesisht në profesione si punonjës pastrimi, ndihmëskuzhinierë, punëtorë ndërtimi, rrobaqepës dhe prodhues këpucësh.
Sipas Çepanit, portali “puna.gov.al” po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në funksionimin e tregut të punës, duke ndihmuar qytetarët të gjejnë punë dhe bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për fuqi punëtore.

