Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore njoftoi se bizneset në Tiranë do të kenë një afat të zgjeruar për pagesën e taksave dhe tarifave vendore. Sipas një vendimi të ri të Këshillit Bashkiak Tiranë, data e fundit e pagesës për bizneset e kategorisë II është 31 maj, nga 20 prilli që ishte më parë.
Për detyrimet që lindin pas kësaj date, afati i pagesës është 15 ditë nga momenti i lindjes së detyrimit. Ndërkohë, për bizneset e reja të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, detyrimi fillon nga muaji i regjistrimit dhe përfshin çdo njësi ku kryhet aktiviteti, për një llogaritje më të saktë dhe të drejtë të detyrimeve.
Sipas vendimit:
“Për kategorinë II, detyrimi paguhet brenda datës 31 maj. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas 31 majit është 15 ditë. Për subjektet e regjistruara rishtaz, detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi ku kryhet aktiviteti nga muaji i regjistrimit.”
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është mënyra e komunikimit me bizneset. Tani çdo njoftim zyrtar mbi detyrimet tatimore vendore do të përcillet jo vetëm me postë dhe kanale elektronike tradicionale, por edhe përmes portalit qeveritar e-Albania.
“Çdo njoftim që lidhet me detyrimet, taksat dhe tarifat vendore do të bëhet përmes shërbimit postar dhe/ose rrugëve elektronike sipas ligjit dhe/ose përmes portalit e-Albania.”
Ky vendim synon të thjeshtojë procesin e pagesave dhe të rrisë transparencën në komunikimin mes bizneseve dhe administratës tatimore.