Besëlidhja dhe Apolonia, të paprekshme në krye të kampionatit, Elbasani luan sot

Kampionati Kombëtar i Basketbollit për meshkuj zhvilloi në fundjavë pesë ndeshjet e javës së gjashtë, ku munguan surprizat. Besëlidhja dhe Apolonia vijojnë marshin e tyre perfekt, duke mbetur skuadrat e vetme me pikë të plota. Fitore bindëse shënuan gjithashtu edhe Tirana, Vllaznia dhe Skënderbeu.


Besëlidhja, tjetër fitore me tri shifra

Kryesuesit e kampionatit, Besëlidhja, mposhtën Kamzën me rezultatin e thellë 103-59 (26-17, 22-16, 31-11, 24-15) në “Asllan Rusi”.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali dominoi në të gjitha periodat, duke konfirmuar edhe një herë diferencën e madhe të nivelit. Lezhjanët morën 55 pikë nga stoli, ndërsa më i spikaturi ishte Frenki Lilaj me 16 pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime.
Për Kamzën, më i miri rezultoi Elihaj Washington me 17 pikë, 4 kërcime dhe 6 asistime. Ky ishte suksesi i gjashtë radhazi për Besëlidhjen, që mbetet e vetmja skuadër me 100% fitore.


Apolonia triumfon në kryeqytet

Në Tiranë, Apolonia shënoi një fitore të rëndësishme përballë Partizanit, duke triumfuar 99-71 (19-14, 18-21, 17-28, 17-36).
Pas një fillimi të mirë për të kuqtë, fierakët morën kontrollin e ndeshjes dhe nuk e lëshuan më deri në fund. Djorkaeff Campbell ishte njeriu i ndeshjes, me 23 pikë, 6 kërcime dhe 6 asistime, ndërsa për Partizanin u dallua sërish Gerard Davis, autor i 32 pikëve.


Tirana nuk fal në “Farie Hoti”

Bardheblutë e Tiranës regjistruan një tjetër fitore bindëse, duke likuiduar Flamurtarin me rezultatin 110-66 (28-24, 26-9, 29-20, 27-13).
Ndeshja u zhvillua pa histori, pasi kryeqytetasit dominuan në çdo aspekt të lojës. Johnathan Massie ishte lojtari më i mirë i sfidës me 22 pikë, 4 kërcime dhe 3 asistime, ndërsa për Flamurtarin u dallua Jalyn Williams me 19 pikë.


Vllaznia, fitore solide ndaj Pogradecit

Në Shkodër, Vllaznia mundi pa vështirësi Pogradecin me rezultatin 80-60 (20-11, 22-18, 19-15, 19-16).
Heroi i kuqebluve ishte Ashton Parker, i cili shënoi 21 pikë dhe mori 17 kërcime, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të merituar. Për liqenorët, më i spikaturi ishte Nevin Right me 16 pikë dhe 11 kërcime.


Skënderbeu “shkatërron” Fierin

Në Korçë, Skënderbeu dominoi përballjen me Fierin, duke fituar me rezultatin 106-83 (27-21, 35-13, 22-24, 22-25).
Lojtari i ndeshjes ishte Brock Wakefield, që realizoi një performancë spektakolare me 40 pikë për vendasit. Për miqtë, Michael Green shkëlqeu me 34 pikë, por pa mundur të shmangë humbjen.


Java mbyllet në Elbasan

Kjo javë e gjashtë e kampionatit kombëtar do të mbyllet sot me ndeshjen Elbasani–Teuta, që do të luhet në orën 18:00.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME