Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat nga selia blu në lidhje me përgatitjet e opozitës për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit. Ai u shpreh se procesi i përzgjedhjes së kandidatit për Tiranën po vijon dhe se pritet që emri të zyrtarizohet shumë shpejt.
“Shpresoj se po, por do të ketë diskutime edhe me koalicionin,” – tha Berisha, duke nënkuptuar se konsultimet me aleatët janë ende në zhvillim.
I pyetur nëse janë paraqitur shumë kandidatë të mundshëm, ai u shpreh se ka disa propozime, si nga persona që e kanë bërë publikisht të njohur dëshirën për të kandiduar, ashtu edhe nga të tjerë që i janë drejtuar me mesazhe.
“Ka që e kanë shpallur publikisht, por ka edhe të tjerë që më kanë shkruar. Disa janë pedagogë universitetesh, personalitete të ndryshme që duan të marrin më parë miratimin tonë për t’u bërë publikë,” – theksoi Berisha, pa dhënë emra konkretë.
Sa i përket mundësisë që emri i kandidatit për kryebashkiak të shpallet sot, kreu i PD-së tha se kjo është e mundshme, por gjithçka varet nga përfundimi i diskutimeve me aleatët.