Atmosfera festive ndjehet në çdo qytet të Shqipërisë në dhejtorin e festave.
Sheshet dhe rrugët e qyteteve të vendit janë dekoruar me pemën e Krishtlindjes dhe dritat vezulluese.
Gjatë muajit të fundit të vitit në sheshet kryesore të qyteteve zhvillohen aktivitete të shumta festive, me muzikë live dhe performanca të ndryshme, që do të kulmojnë në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor.
Përgjatë gjithë muajit dhjetor në këto sheshe janë të hapura edhe panaire dhe shtëpiza nga bizneset me produktet bio të zonave ku jetojnë, duke i dhënë hov edhe ekonomisë lokale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga zbukurimet për festa në qytetin e Beratit.
Qyteti i një mbi një dritareve ka krijuar një atmosferë magjike, me ndriçimin e qendrës historike dhe urave mbi lumin Osum.
Dritat shumëngjyrëshe që reflektojnë mbi ujë kanë shndërruar qytetin në një destinacion të preferuar për vizitorët.
Turistë të shumtë vendas e të huaj kanë zgjedhur të kalojnë dhejtorin në qytetin historik të Beratit.
Shtëpizat me drita të krijuara si kuti dhuratash, babagjyshi me karrocën e tij, arushi gjigant si dhe tuneli me drita përgjatë lulishtes, janë kthyer në atraksionet më të preferuara për t’u fotografuar nga turistët.

