Festa e Sh’Mrajas po kthehet në një traditë të qëndrueshme në kalendarin e aktiviteteve që zhvillohen çdo vit në Lurë. Atmosfera festive bashkoi banorë e vizitorë, të cilët erdhën për të festuar dhe për të promovuar vlerat kulturore e shpirtërore të zonës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në këtë ngjarje, duke ndarë emocionet me komunitetin lokal. Në një postim në rrjetet sociale, ajo u shpreh:
“Sh’Mraja është një festë që i bashkon të gjithë. Këtu ekspozohen me krenari traditat dhe kultura e pasur e Lurës. Kisha e fshatit, që mban emrin Sh’Mraja, është një tjetër thesar jo vetëm për këtë zonë. Kënaqësi që u riktheva sërish për ta vizituar.”
Kisha e Shën Mërisë, e restauruar së fundmi dhe që ruan brenda saj rrënojat e një kishe 630-vjeçare, është një nga pasuritë më të çmuara të Lurës dhe një destinacion turistik i rëndësishëm për vizitorët.
Festa e Sh’Mrajas u zhvillua me muzikë tradicionale, valle e veshje karakteristike, duke kthyer këtë ngjarje në një simbol të bashkimit dhe krenarisë lokale.