Bashkimi Evropian ka hapur një thirrje të re për projektpropozime në kuadër të Programit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë (2021–2027), me një kontribut total prej 5,28 milionë euro. Thirrja synon të mbështesë projekte që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, promovimin e biodiversitetit, si dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe trashëgimisë kulturore e natyrore në të dyja anët e kufirit.
Të drejtë për të aplikuar kanë institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe partneritetet ndërkufitare. Sipas Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), kjo thirrje ofron një mundësi unike për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të ruajtur pasuritë natyrore dhe kulturore, dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 24 tetor 2025.