Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj është rikthyer pas pauzës për festat e fund-vitit, teksa të shtunën dhe të dielën u luajtën ndeshjet e javës së 11-të, duke shënuar kështu edhe fundin e fazës së parë. Besëlidhja ka mbyllur një pjesë të parë perfekte të kampionatit, me 11 fitore në po kaq sfida.
Lezhjanët mposhtën mbrëmjen e djeshme Apoloninë me rezultatin treshifror 100-88 (19-19, 18-19, 38-16, 25-34) në “Asllan Rusi”. Takim ishte tepër interesant, me fierakët që luajtën shumë mirë në dy periodat e para, duke shkuar madje deri në +7 pikë. Kampionët në fuqi u rikthyen fuqishëm në periodën e tretë, duke e gatuar aty fitoren, pasi e morën 10- minutëshin me 22 pikë avantazh, për të administruar më pas, edhe pse miqtë i zbutën shifrat në çerekun e fundit. Powell me 30 pikë dhe Edmonds me 18 pikë e 10 kërcime mbajtën peshën kryesore në suksesin e Besëlidhjes. Për Apoloninë shënuesi më i mirë ishte Jackson, autor i 19 pikëve.
Gjithçka e thjeshtë për Tiranën në ndeshjen kundër Pogradecit në “Farie Hoti”. Bardheblutë fituan në shifra të thella 124-73 (40-18, 22-21, 27-13, 35-21), duke vijuar të mbeten forca e dytë e kampionatit. Edhe pse trajneri Erkand Karaj bëri rotacion, duke lënë në stol lojtarë kryesorë, Tirana nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren. Lojtari i ndeshjes ishte Aleksis Nika, protagonist me 29 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime për bardheblutë.
Vllaznia mori një sukses të rëndësishëm për zonën “play off”, teksa mposhti Teutën në Shkodër me rezultatin 88-73 (25-12, 18- 19, 27-21, 18-21). Parker meritoi vlerësimin MVP, me 15 pikë e 14 kërcime. Fitore me tre shifra edhe për Kamzën, e cila shkatërroi Elbasanin 125- 75 (24-26, 32-17, 37-15, 32-17), udhëhequr nga Murray, MVP me 30 pikë e 13 kërcime. Fieri likuidoi Partizanin në kryeqytet në shifrat 50-79 (13- 23, 11-11, 5-27, 21-18), ndërsa Skënderbeu mposhti Flamurtarin me rezultatin 100-73 (29- 9, 20-27, 30-18, 21-19).

