Bashkimi i zemrave fisi Rusi dhe miqësia që nuk humbet

Një derë e hapur, një fis i madh dhe një foto që mban më shumë se ç’duket

-Fëmijët tanë të ndjekin shembullin e prindërve, të mbajnë gjallë rrënjët

Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Ka fotografi që janë vetëm kujtim. Ka të tjera që janë dëshmi. Dhe ka disa, shumë të rralla, që janë thirrje. Kjo foto, me trembëdhjetë njerëz të mbledhur rreth një tryeze në Kovashicë, nuk ka ardhur rastësisht. Është produkt i një kulture që po rrallohet. Kultura e të shkuarit në derë të mikut, jo për hall, jo për interes, por sepse kështu kanë bërë gjithmonë njerëzit e ndershëm të këtij vendi.

Fotografia e bërë, që çfaq anën e shkëlqyer shpirtërore të secilit, nuk është vetëm një imazh. Është dëshmi e një kohe, ku miqësia dhe lidhjet familjare kanë peshë të jashtëzakonshme. Këto tryeza janë bashkim trashëgimie, kulture, dinjiteti, burrërie dhe fjale të mbajtur. Janë mësim i heshtur për fëmijët tanë, që ndonësë jetojnë larg, por duhet të mos harrojnë nga vijnë dhe çfarë duhet të ruajnë.

Janë 13-të frymë të ulur pranë tryezës. Demiri me gruan Zanën, poet i tokës dhe i zemrave. Baftjari me gruan Xufen, jurist i drejtësisë dhe mbrojtës i lidhjeve të forta. Vasili dhe Elsa Hila, administratorë të shkollës së parë publike në Durrës “Mihal Ekonomi”, të ardhur për të ndjerë rrënjët e miqësisë. Bujari me Kostandinën nga shoqëria civile të etur për bashkim. Rustem Rusi me gruan Qete. Atli Mani me gruan Dallëndyshen, punëtorët e mrekullueshëm nga Pejka e Melanit. Besimi Merja, me sytë që ndriçonin nga emocioni, ndjente praninë e Kadrijes, ani se e larguar nga jeta, duke buzëqeshur së bashku me të gjithë, duke mbajtur gjallë memorien dhe dashurinë.

Në “Gurra e Lekës”, në Kovashicë, u shtrua një sofër që mbante mbi vete peshën e kohës. Trembëdhjetë veta u ulën fizikisht rreth saj, por në të vërtetë ishin të pranishëm 45 fëmijë. 12-të fëmijë të këtyre të shtatëve (duke përjashtuar vëllezërit Rusi në këtë foto) dhe 33 të fisit Rusi, trungut të madh me 11 fëmijë nga familja e origjinës. Një botë e tërë e shpërndarë në kontinente, por e mbledhur shpirtërisht në një tryezë.

Nuk u shkuat për bukë miqve tuaj. I shkuat në derë. Dhe dera u hap. Kjo është fjalia e parë që duhet të mbetet. Në Dibër, bujaria nuk është shprehje. Është detyrim moral. Në Durrës, mikpritja nuk është zakon. Është frymëmarrje qytetare. Kur këto dy botë takohen, nuk ka nevojë për sqarime. Gjërat rrjedhin vetë. Njëri e shtron sofrën, tjetri e nderon. Njëri hap derën, tjetri kalon me respekt. Nuk ka garë, nuk ka protagonizëm. Ka ekuilibër burrash.

Demiri, Baftjari, Rustemi, nuk janë vetëm vëllezër biologjikë. Janë bartës të një kodi të vjetër. Mikun e duan dhe i falen edhe kur shtëpia është e mbushur me halle. Sidomos atëherë. Kjo është arsyeja pse kjo sofër ndodhi. Jo sepse ishte e lehtë, por sepse ishte e nevojshme.

Nga Mifoli në Durrës, nga Dibra në Evropë miqësia si urë

Në atë tryezë nuk u ulën njerëz nga i njëjti fshat, as nga i njëjti qytet. U ulën botë të ndryshme shqiptare, që e njohin njëra tjetrën pa pasur nevojë për përkthim.

Vasil Hila vjen nga Mifoli i Vlorës (ndonëse i përjetësuar në Durrës), nga ajo tokë ku fjala është e ngrohtë dhe miqësia është e drejtëpërdrejtë. Elsa, bashkëshortja e tij, është nga Durrësi, vajza e mësuesit erudit Mihal Ekonomi, emër që lidhet me dijen, përkushtimin dhe arsimin. Ata nuk e kanë mbajtur dijen për vete. E kanë kthyer në mision.

Në të njëjtën tryezë ndodhej edhe Bujari, gazetari aktiv i Durrësit, me bashkëshorten e tij Kostandinën, po ashtu emër i spikatur veçanërisht i kohës së rinisë. Njerëz që kanë jetuar me fjalën, me publikun, me shoqërinë, por që nuk e kanë humbur thjeshtësinë e të shkuarit mik.

Mali i Dibrës nuk të mëson të flasësh bukur. Të mëson të mbash fjalën. Të rrit me idenë se burri matet në ditë të vështira, jo në festa. Deti i Durrësit nuk të mëson të mbyllesh. Të mëson të presësh. Të hapesh. Të pranosh tjetrin. Të ulësh një karrige më shumë, gjithmonë. Kur këta dy karaktere takohen në një tryezë, nuk ka konflikt, ka plotësim. Mali sjell shtyllën kurrizore. Deti sjell frymën. Dhe aty, në atë takim, u panë të dy bashkë, me qetësi, pa bujë, por me një natyrshmëri që për kohën është bërë luks.

Këtu qëndron thelbi. Miqësia nuk njeh profesione, por karaktere. Pak familje, shumë njerëz, një e vërtetë që duhet thënë ngadalë. Por po t’i numërosh me qetësi, me durim, me respekt, kupton diçka jo fort të zakonshme. Brenda një fisi, brenda një fotoje, ka një botë të tërë njerëzish. Fëmijë, nipa, mbesa, të shpërndarë në Evropë, në Amerikë, në Lindjen e Mesme.

Të lidhur jo vetëm nga gjaku, por nga një kujtesë e përbashkët. Diku ekziston një sofër ku ata janë të mirëpritur. Kjo është fuqia që nuk duket. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të ndahemi. Sepse kur ndahemi, nuk humbasim vetëm një takim. Humbasim lidhjen.

Bashkimi dhe trashëgimia

Fisi Rusi, themeluar nga Rifat dhe Nazmije, është simbol i lidhjeve të forta dhe të ndershme. Çdo fëmijë ka emër me kuptim: Liria, Rustemi, Demiri, Ismeti, Milita, Bashkimi, Emria, Baftjar, Laureta, Avduli dhe Luiza. Emra që janë mesazhe, vlera dhe karaktere.
Fisi Rusi është një rrjet i madh, nga Homeshi e Majtarë, deri në Milano, Dubai, Angli, Greqi, Itali dhe Amerikë.

Rrjeti i Rusëve nuk është vetëm një familje, por edhe format i arrirë i respektit, i dashurisë dhe i qëndrueshmërisë. Çdo brez që rritet duhet të mbajë gjallë këtë rrjet, të vazhdojë të ftojë, të ndajë, të takojë dhe të mbajë miqësinë dhe trashëgiminë.

Bafjtari, avokati me një reputacion të pathyeshëm, njeriu që ka mbrojtur çështje të mëdha në Hagë dhe në Strasburg, i ka mësuar të gjithë se drejtësia nuk është thjeshtë ligj, por sakrificë, vendosmëri dhe forcë e brendshme që nuk jepet. Në duart e tij, fjala ligjore bëhet armë.

Baftjari nuk ndan botën në të mëdhenj dhe të vegjël. Nuk di të përzihet në jetën e normale, me të njëjtin pasion me të cilin përballet me çështjet e mëdha të ligjit. Di të dëgjojë, të shikojë, të japë këshilla, por edhe të qeshë me ngrohtësi, duke ndjerë se këto janë momentet, ku ndërtimi i jetës është më i vërtetë se çdo vendim gjyqësor.

Demiri vazhdon të shkruajë vargje, që tingëllojnë si meloditë e erës dhe të tokës. Në këtë heshtje të plotë, ku zëri i tokës dhe fryma e njerëzve bashkohen, duket se koha ndalon. Çdo gjeneratë që kalon, çdo ditë e punuar, çdo varg i Demirit, çdo vendim i Bafjtarit, çdo dhembshuri e Atliut për tokën dhe fshatarët, ndërtojnë një histori të përjetshme histori e një familjeje që ka zgjedhur të jetojë në përputhje me vlerat, me dashurinë për njëri-tjetrin dhe për natyrën, dhe me fuqinë e jashtëzakonshme të punës së palodhur.

Kjo tryezë dhe kjo fotografi tregojnë, se edhe largësitë nuk mund të ndajnë zemrat. Miqësia nuk është thjeshtë ndjenjë, por një veprim i prekshëm. Të ftosh, të dëgjosh, të ndihmosh, të qeshësh, të ndash kujtime dhe histori.

Emrat si fat dhe si karakter

Çfarë perfeksioni ndodh me emrat e 13-të Rusëve të Homesh-it. Sa të mënçur çifti themelues i kësaj familje të madhe, me pasuri të pallogaritshme shpirtërore! Por edhe të parët e të parëve të tyre. Emrat kanë kuptim, asnjë i barabartë, por së toku bëjnë të barabartën. 11 degë të një rrënje. Fis plot sharmë e personalitet. Kemi zbarthyer kuptimin e çdo emri dhe të do më jepni të drejtë në këtë që shprehem. Asgjë nuk është rastësi.

Rifat fisnikëri dhe dinjitet. Nazmije harmoni dhe butësi, Liria e lirë. Rustemi trimëri, besë, mbrojtje. Demiri forcë, qëndrueshmëri. Ismeti ndershmëri morale. Milita vendosmëri. Bashkimi unitet. Emria prijëse e butë. Baftjari fat. Laureta fitore. Avduli përulësi dhe besnikëri, Luiza guxim dhe elegancë.

Secili është në të veçantën e tij, por që plotësojnë të përgjithshmen. Kjo është miniera që prodhon floririn më të pastër, të lyer me fuqinë e bashkimit dhe të vazhdimësisë. Fis i bukur, që na mban të pacënuar traditën, besën dhe pastërtinë e shpirtit, të atij shpirti që punon me gjak arbëri.

11-të për 33

Fisi Rusi një trung që mban degë në gjithë botën. Një familje që nuk është vetëm lidhje biologjike, por strukturë shoqërore. Një çift që solli në jetë 11 fëmijë, 6 djem dhe 5 vajza, duke ndërtuar jo vetëm familje, por breza. Babai, Rifati u largua herët nga jeta, në vitin 1990. Një djalë ndali frymëmarrjen në mars 2020. Tre muaj më pas, u shua edhe nëna Nazmija, zonja e shtëpisë, që nuk jetoi dot pa të birin. Dhimbje të mëdha, por të mbajtura me dinjitet.

Globi brenda një fisi. Në total, 11-të fëmijët e Rifat dhe Nazmije Rusit kanë si trashigimtarë 33 nipër e mbesa nga kjo familje. 13 djem dhe 20 vajza. Një hartë botërore, por një trung i vetëm. Kanë prezencë në Homesh, Milano, Rexhio Emilia, Romë, Peshkopi, Dubai, Angli, Greqi, Durrës, Gjermani, Strugë, Bulqizë, Tiranë, Angli e gjetkë.

Çdo histori, çdo kujtim, çdo buzëqeshje është pjesë i një mozaiku më të madh. Bashkimi i zemrave dhe trashëgimisë së një fisi që ka rrënjë të thella dhe një mesazh që duhet të ruhet për brezat e rinj.

Testament i zemrave

Kjo pamje shikohet si një grup njerëzish. Por në të shohim miqësinë që bashkon, dashurinë që nuk shuhet dhe trashëgiminë që duhet të ruhet.

Besimi ndjen Kadrijen pranë. Demiri dhe Zana tregojnë se poezia dhe puna janë një rrjet lidhjesh. Baftjari dhe Xufe, rrëfejnë se drejtësia dhe zemra mund të bashkohen. Të tjerët japin secili, forcën e veçantë që zotërojnë. Kjo pamje që rrezaton vetëm mirësi, është testament për brezat. Bashkimi i zemrave nuk shuhet. Miqësia e vërtetë nuk ka kohë. Trashëgimia morale e fisit, duhet të ruhet gjallë nga çdo brez që vjen pas nesh.

Këto takime, këto lidhje që qendrojnë fort në majën e shpirtit, janë shkolla të jetës. Ato mësojnë edhe fëmijët të respektojnë trashëgiminë, të ndjekin shembullin e prindërve, të kuptojnë se miqësia e vërtetë është më e fuqishme, se çdo pengesë dhe më e qëndrueshme se çdo largim.

Në kohën kur fiset po çthuren, emigrimi po i zbraz sofrat, njerëzit nuk gjejnë kohë as për njëri tjetrin, këto takime janë akte rezistence shoqërore. Këtu nuk ka rëndësi kush është nga Durrësi, kush nga Homeshi, kush nga Pejku, apo Kovashica. Ka rëndësi që njerëzit nuk janë harruar, që emrat thirren me respekt, që gratë janë krah burrave, që të moshuarit janë nderuar dhe mungesat janë përmendur me dhimbje e dinjitet.

Kjo është miqësi e vjetër shqiptare, ajo që nuk kërkon shpjegim, por vetëm vazhdim.

Burrat e Dibrës, ata që nuk flasin për besën, por e jetojnë

Ka ndodhi që duken të vogla, vetëm për ata që nuk dinë të shohin. Një drekë. Disa burra. Disa gra. Një vend i qetë. Por në të vërtetë, aty është një hartë e Shqipërisë morale. Në Kovashicë, te “Gurra e Lekës”, nuk u ulën njerëz për të ngrënë. U ulën kujtesa, besa, malli, emra që nuk e kanë tradhtuar njëri tjetrin. U ulën breza që kanë parë ikje, varre, kufij, emigrim, por që nuk e kanë humbur zakonin më të shenjtë shqiptar, të mos e lësh mikun vetëm.

Kjo nuk është nostalgji. Është qëndresë. Dibra nuk i prodhon burrat me zë të lartë. I nxjerr të rëndë, si guri i malit. Ata nuk e shpallin burrërinë, e mbajnë mbi supe. Demiri, Baftjari, Rustemi, Atliu, Besimi nuk janë personazhe për dekor. Janë shtylla. Janë ata burra, që edhe kur koha ua hallakat fëmijët nëpër botë, nuk lejojnë që zemrat të shpërndahen.

Ata e dinë se fisi nuk mbahet me dokumente, por me takime. Me ftesa. Me sofrën e shtruar jo për sy, por për shpirt. Këta burra nuk e kanë luksin të thonë: “S’kemi kohë.” Sepse e dinë se koha që nuk e gjen mikun, ta humb njeriun.

Ka kohë që Shqipëria nuk prishet nga varfëria, por nga harrimi. Nga ai harrim i heshtur që nuk bën zhurmë, por shkul rrënjë. Fiset nuk shuhen, por po çthuren. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai kuvend miqësie në Kovashicë, te “Gurra e Lekës”, nuk ishte sofër. Ishte akt. Ishte qëndrim. Ishte një “jo” e thënë qartë ndaj kohës, që po na shpërndan si gjethe.

Aty nuk ishin njerëz të rastit. Ishte tipologjia shqiptare e mbetur gjallë. Burra që nuk flasin shumë, por fjala e tyre peshon. Burra që nuk të përqafojnë shpesh, por kur të japin dorën, e ke marrë besën. Gra që nuk dalin në plan të parë, por pa to tryeza nuk mban.

Në këtë sofër, Dibra nuk ishte vetëm si vend origjine, por si kod etike. Burrat dibranë nuk janë të zhurmshëm, por janë të fortë në heshtje. Ata nuk premtojnë shumë, por çfarë thonë e mbajnë. Dhe pikërisht ky kod etik, e ka bërë fisin Rusi një trung që nuk u tha, pavarësisht largimeve, emigrimeve dhe dhimbjeve.

Emigrimi nuk është ndarje, nëse ruhet lidhja

Emigrimi i ka marrë fëmijët, por nuk i ka marrë prindërit nga njëri tjetri. I ka shpërndarë trupat, por jo kujtesën. Këta njerëz e dinë, se nëse nuk e ruajnë zakonin e të takuarit, atëherë largësia bëhet humnerë. Prandaj e mbajnë gjallë. Me sofër. Me besë. Me rrugë të bërë edhe kur lodh. Ky është patriotizëm i heshtur. Jo me flamur në dorë, por me tryezë të shtruar.

Shoqëria shqiptare sot, nuk ka nevojë për më shumë fjalë. Sofra ku këndon miqësia dhe melodia luhet me ritmin e shpirtit, kthehet në shembull. Kjo foto është argument. Fisi Rusi është provë se edhe tani mund të jetohet me nder, me bujari, me miqësi që nuk konsumohet.

Nëse këto lidhje nuk trashëgohen, do të humbasim më shumë se njerëz. Do të humbasim vetveten. Ata burra e gra e dinë mirë ç’është emigrimi. Jo nga librat. Nga fëmijët. Dubai, Milano, Londra, Greqia, Amerika nuk janë destinacione turistike. Janë copëza zemre të shpërndara.

Por ajo tryezë dha një mesazh të qartë. Emigrimi nuk ka të drejtë të na marrë edhe shpirtin. Mund të na marrë trupin, djersën, vitet. Por jo miqësinë. Jo besën. Jo kujtesën. Nëse nuk i mbajmë këto gjallë, fëmijët tanë do të trashëgojnë vetëm pasaporta, jo identitet.

Kur pak bëhen shumë dhe shumë nuk guxojnë të ndahen

Kjo histori nuk kërkon duartrokitje. Kërkon vazhdim. Që fëmijët të thonë nesër:

“Baballarët tanë nuk u mbyllën. Nuk u ndanë. Nuk u harruan.” Që të dimë se edhe kur jemi pak, jemi bashkë. Dhe kur jemi bashkë, jemi shumë. Kjo është pasuria. Kjo është trashëgimia. Kjo është arsyeja pse kjo foto, nuk duhet të kalojë pa u lexuar.

Thuhet shpesh: “Jemi pak.” Por ja e vërteta që nuk duam ta shohim. Pak familje. Por dhjetëra fëmijë. Dhjetëra nipa e mbesa. Dhjetëra zemra që rrahin në kontinente të ndryshme. Pak burra rreth një tryeze. Por pas tyre një ushtri dashurie, një zinxhir breznish.

Kjo është mrekullia shqiptare. Ne nuk jemi shumë në numër, por jemi të shumtë në lidhje. Dhe vetëm po t’i ruajmë këto lidhje, nuk bëhemi kurrë pak. Mali të mëson të mos lëvizësh lehtë. Deti të mëson të mos mbyllesh. Emigrimi të mëson sa e shtrenjtë është një dorë e njohur.

Ata burra e gra që u mblodhën në atë drekë, e dinë mirë këtë trekëndësh. E dinë sa e vështirë është të jesh në Dubai, e të mendosh për Homeshin. Të jetosh në Milano e të shohësh Durrësin në ëndërr. Të ndodhesh në Amerikë, e të numërosh ditët për një verë në Shqipëri.

Por ata dinë edhe një gjë tjetër. Nëse nuk takohemi kur mundemi, do të qajmë kur s’mundemi. Prandaj u takuan. Jo për qejf. Por për domosdoshmëri shpirtërore.

Miqësia pasuria që nuk regjistrohet në banka

Shtëpitë shemben. Tokat ndahen. Paratë harxhohen. Por miqësia që trashëgohet nga prindërit, është pasuria e vetme që rritet duke u ndarë. Fëmijët duhet të shohin, baballarë që ftojnë, nëna që presin, burra që ulen pa xhelozi, gra që flasin pa frikë.

Kështu trashëgohet shoqëria. Jo me fjalime, por me shembuj të gjallë. Shqipëria nuk po ikën vetëm nga aeroportet. Po largohen nga sofrat e zbrazura. Nga shtëpitë ku nuk hyn më mik. Nga njerëzit që jetojnë në të njëjtin qytet, por nuk takohen.

Kjo sofër thotë të kundërtën, mundemi ende. Mundemi të ftojmë. Mundemi të shkojmë. Mundemi të ruajmë njëri tjetrin nga harresa. Nëse e humbim këtë, nuk na shpëton as flamuri, as gjuha, as historia.

Ajo ftesë nuk ishte protokoll. Ishte respekt i ndërsjellë. “Erdhët nga larg, hajdeni të hamë bukë bashkë.” Kaq. Pa interes. Pa llogari. Kjo është miqësia shqiptare e vjetër, ajo që nuk të pyet çfarë fiton, por kë humb nëse nuk vjen. Në atë tryezë u pa qartë, se miqësia nuk është argëtim , por përgjegjësi morale. Është ta dish që ke një vend ku je i pritur, jo sepse duhet, por sepse duhesh.

Amaneti që nuk shkruhet, por jetohet

Kjo nuk është thjeshtë një histori miqësie. Është amanet. Amanet për fëmijët tanë që të mos thonë nesër- “Baballarët tanë u shpërndanë.” Jo. Baballarët tanë u mblodhën. Edhe kur ishte vështirë. Edhe kur ishte larg. Edhe kur koha donte t’i ndajë. Dhe nëse këto tryeza vazhdojnë, nëse këto ftesa përsëriten, atëherë Shqipëria nuk do të jetë kurrë e vogël.

Ky shkrim nuk qan për të shkuarën. Ky shkrim sfidon të tashmen. Nuk është nostalgji. Është thirrje. Fëmijët tanë duhet të dinë. Se miqësia nuk trashëgohet automatikisht, por kultivohet. Emigrimi nuk duhet të thajë rrënjët. Një sofër modeste me prush shpirtëror, mund të vlejë më shumë se një mijë fjalë boshe. Këto tryeza janë shkollë shpirti. Janë kujtesë kolektive. Janë Shqipëria që ende reziston.

Nëse këto sofra trashëgohen, shoqëria nuk humbet. Nëse këto miqësi mbahen gjallë, kombi nuk tkurret. Dhe nëse fëmijët tanë e kuptojnë këtë amanet, atëherë “Gurra e Lekës”, do të vazhdojë të rrjedhë jo vetëm ujë, por edhe jetë. Nëse këto sofra vazhdojnë të shtrohen, shoqëria jonë do të ketë bosht. Nëse miqësia ruhet, edhe në kohë çthurjeje, atëherë ka shpresë.

Sofra “Gurra e Lekës” nuk ishte tryezë. Ishte mesazh. Ishte porosi për fëmijët tanë. Të kthehen, të ulen, të dëgjojnë, të mos harrojnë tokën e të parëve. Nëse miqësia trashëgohet, shoqëria shpëton. Nëse këto sofra vazhdojnë të shtrohen, Shqipëria nuk mbetet vetëm territor, por bëhet shtëpi. Sepse kombi nuk mbahet vetëm me kufij, por me kujtesë. Dhe kujtesa, si buka, ndahet në sofër.

Sepse Shqipëria nuk është vetëm territor. Është miqësi që nuk shuhet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

AF Elbasani gati për sfidën e madhe në “Air Albania” ,verdheblutë përballë Dinamo City

Të shtunën në mbrëmje, “Air Albania” do të jetë...

Rauf Dimraj shpirti sportiv që fluturon mbi kujtimet dhe ëndrrat

-Dritarja ku frymëzimi takon veprën Nga BUJAR QESJA Mjeshtër i Madh Një...

Erion Braçe dhe sfida ndaj politikës së mbyllur

  E kam njohur Erion Braçen kur ishte shumë i...