Nga Haxhi Balliu & Agim Blloshmi
Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në ambientet e Bashkisë Librazhd, z. Bedri Bogdani, një figurë e njohur e komunitetit shqiptar në Bruksel, u nderua me “Çertifikatën e Mirënjohjes” për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të sportit dhe të rinjve librazhdas.
Ky vlerësim i rëndësishëm ju dorëzua nga kryetari i Bashkisë, z. Mariglen Disha, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se ky akt simbolik përfaqëson një shprehje të thellë mirënjohjeje për një bashkëqytetar që, ndonëse i vendosur prej vitesh jashtë Shqipërisë, nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen. “Kontributi i diasporës dhe në veçanti i Bedri Bogdanit është një shembull i vyer i lidhjes që mërgata shqiptare mban me vendlindjen. Përmes ndihmës së tij për ekipin e futbollit dhe atë të volejbollit për vajza, ai ka dhënë një mbështetje modeste,por shumë domethënëse për sportin dhe të rinjtë e Librazhdit,” u shpreh kryebashkiaku Disha, duke vlerësuar rolin e diasporës në zhvillimin e komuniteteve lokale.
Nga ana e tij,z. Bogdani, i emocionuar nga ky vlerësim,falënderoi Bashkinë Librazhd për nderin dhe besimin, duke theksuar se mbështetja ndaj sportit do të vijojë të jetë një nga prioritetet e tij në raport me qytetin që ai e mban gjithmonë në zemër. “Jam thellësisht i nderuar për këtë çertifikatë.Librazhdi mbetet shtëpia ime dhe është kënaqësi të kontribuoj sado pak për të ardhmen e sportit dhe të rinjve të këtij qyteti,” – u shpreh ai.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe vlerësuese, ku të pranishmit,përfaqësues të institucioneve, sportistë dhe qytetarë përshëndetën këtë iniciativë si një hap pozitiv drejt forcimit të marrëdhënieve mes diasporës dhe institucioneve lokale. Kjo ngjarje shënon jo vetëm një vlerësim për kontributin individual të z. Bogdani, por edhe një thirrje të hapur për gjithë bashkatdhetarët që duan të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e komunitetit.