Nga Fatmir Popja
Bashkia e Librazhdit është pjesë e edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të organizuar nga “Klik Ekspo Group”, i cili këtë vit zhvillohet nën moton “Albania 2030”.
Ky panair, që është ndër ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në vend dhe rajon, ka bërë bashkë rreth 250 kompani pjesëmarrëse nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera europiane.

Në këtë event të rëndësishëm, Bashkia e Librazhdit ka stendën e saj të dedikuar, ku prezanton pasuritë dhe potencialet unike që e bëjnë zonën një destinacion në rritje për turizmin dhe investimet.
Sipas përfaqësuesit të Bashkisë së Librazhdit, z. Shpëtim Cura, stenda e Librazhdit ka tërhequr një numër të madh vizitorësh, të cilët janë njohur nga afër me mundësitë që ofron kjo bashki në fushën e turizmit malor, produkteve bio dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Kemi edhe ne një stendë të dedikuar, në të cilën synojmë të tregojmë potencialin e madh të turizmit malor të Bashkisë së Librazhdit dhe të prodhimeve bio. Është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar vlerat tona natyrore, kulturore dhe ekonomike përballë investitorëve vendas dhe të huaj,” u shpreh z. Cura.
Në qendër të këtij edicioni të panairit qëndron “Albania 2030 Immersive Experience”, një instalacion shumë-dimensional dhe interaktiv që prezanton vizionin e transformimeve të pritshme të Shqipërisë në pesë vitet e ardhshme.

Përmes kësaj përvoje unike, pjesëmarrësit njihen me projekte strategjike si Porti i ri i Porto Romanos, Korridori VIII hekurudhor, zhvillimet në turizmin 4-sezonal, energjinë e rinovueshme dhe zonat e lira ekonomike.
Ky edicion i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës synon të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, biznesit, institucioneve dhe investitorëve, duke vënë në qendër inovacionin, teknologjinë, investimin dhe zhvillimin institucional si shtylla të rritjes së qëndrueshme ekonomike e sociale.

Panairi do të vijojë deri në fundjavë, duke shërbyer si një pikë takimi mes aktorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik, ndërsa në krah të institucioneve marrin pjesë edhe kompani strategjike shqiptare dhe ndërkombëtare në sektorët e energjisë, teknologjisë, industrisë ushqimore, ndërtimit dhe agroturizmit.
Me pjesëmarrjen në këtë panair prestigjioz, Bashkia e Librazhdit riafirmon angazhimin e saj për të promovuar potencialet lokale, për tërhequr investime të reja dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë territorin e saj.


