Profesionalizmi, përkushtimi dhe besueshmëria e strukturave të Policia e Shtetit janë vlerësuar zyrtarisht nga Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar, përmes dy letrave të veçanta mirënjohjeje, pas bashkëpunimeve të suksesshme hetimore dhe operacionale mes dy vendeve.
Vlerësimi i parë lidhet me arrestimin e shpejtë në Tiranë të shtetasit A. Sh., të akuzuar për vrasje, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”. Sipas autoriteteve britanike, finalizimi me sukses i këtij operacioni nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh. Në letrën e falënderimit theksohet se lokalizimi dhe arrestimi i menjëhershëm i të dyshuarit dëshmon efikasitetin dhe gatishmërinë e strukturave shqiptare.
Rasti i dytë ka të bëjë me operacionin policor “Boomerang”, ku ekspertiza e lartë në analizimin e ADN-së nga Instituti i Policisë Shkencore pranë Policisë së Shtetit ka qenë vendimtare. Falë analizës së të dhënave në databazën “CODIS” dhe aplikimit të përputhjes familjare (Familiar Match), u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirje në 33 raste vjedhjesh të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2023–2025.
Sipas Policisë së Kentit, analiza shkencore e ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të të dyshuarit, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe standarde bashkëkohore hetimore nga pala shqiptare.
Në letrat e mirënjohjes, përfaqësuesit britanikë shprehen:
“Dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta. Është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona.”
Gjithashtu, një vlerësim i veçantë i është bërë rolit të Oficerit Ndërlidhës të Policisë shqiptare, për koordinimin profesional dhe finalizimin me sukses të veprimeve mes dy strukturave.
Këto dy raste konsiderohen një tjetër dëshmi e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe e rritjes së besimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre britanike, në shërbim të sigurisë së qytetarëve në të dy vendet.

