Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndodhet në Bruksel ku po merr pjesë në edicionin e 22-të të Festivalit të Politikës dhe Ideve, organizuar nga Friends of Europe, me fokus tek siguria dhe sfidat e përbashkëta të mbrojtjes.
Ky forum ndërkombëtar ofron një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave mbi nevojën për një strategji të unifikuar të mbrojtjes në një kohë me kërcënime dhe sfida në rritje.
Në ndërhyrjen e saj, Balluku ndau me të pranishmit përvojën e Shqipërisë në përballjen me sulmet kibernetike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve për të mbrojtur sigurinë e përbashkët dhe për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve të reja.
“Ndava me të pranishmit përvojën e Shqipërisë në përballjen me sulmet kibernetike dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve për t’u mbrojtur nga çdo rrezik që cenon sigurinë tonë të përbashkët”, u shpreh Balluku
Balluku ishte pjesë e panelit të diskutimit përkrah zëvendëskryeministrit të Ukrainës, Taras Kachka, dhe zëvendëspresidentes ekzekutive të Komisionit Europian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen, ku u shkëmbyen qëndrime dhe propozime për përforcimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë.