Ministrat e Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë miratuar sot një paketë historike masash ekonomike në kuadër të Procesit të Berlinit, gjatë takimit të zhvilluar në Londër dhe të organizuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pakoja, e lehtësuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), shënon një hap të rëndësishëm drejt një rajoni më të integruar, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm.
Masat, që burojnë nga Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), përfshijnë nisma që mbulojnë fusha si financat e qëndrueshme, investimet, industria e gjelbër, turizmi dhe politikat sociale.
“Ky grup dokumentesh është një hap i madh drejt formimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe një dëshmi se bashkëpunimi rajonal funksionon,” – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović. – “Po kalojmë nga fjalët në veprime, nga planet në përparim të prekshëm që e afrojnë Ballkanin Perëndimor më shumë me Bashkimin Evropian.”
11 masa për një Ballkan më të gjelbër e më konkurrues
Pakoja e miratuar përfshin njëmbëdhjetë nisma rajonale, që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në klimën e biznesit në rajon. Mes tyre:
- Deklarata për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore, për lehtësi në lëvizjen dhe punësimin brenda rajonit, pa humbur të drejta sociale;
- Standardi i bonove të gjelbra, për të hapur investime private në energji, transport dhe infrastrukturë të qëndrueshme;
- Lista e bardhë e taksonomisë së financës së qëndrueshme, për të identifikuar projektet që janë realisht të gjelbra;
- Deklarata për markën e përbashkët të turizmit të Ballkanit Perëndimor, për krijimin e një identiteti të bashkuar turistik;
- Deklarata për prokurimet publike të gjelbra, që synon ta bëjë më të qëndrueshëm vetë shpenzimin publik të qeverive, i cili përbën rreth 10% të PBB-së rajonale.
Nga roaming-u te investimet: suksese që tregojnë ndryshimin
RCC theksoi se këto rezultate ndërtojnë mbi përparimin e deritanishëm të Procesit të Berlinit: rritje e tregtisë rajonale me mbi 66%, eliminimi i tarifave të roaming-ut dhe një rekord prej 10.4 miliardë eurosh investime të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor nuk po përgatitet më për integrim, po e zbaton atë,” – tha Kapetanović. – “Qytetarët tanë po ndiejnë tashmë përfitimet e një rajoni më të lidhur dhe më të hapur. Ky është momenti për të kaluar nga ambicia në zbatim, nga planet në projekte dhe nga bashkëpunimi në mirëqenie.”
Investimet e qëndrueshme në fokus
Takimit i parapriu Forumi i Biznesit i Procesit të Berlinit, bashkëorganizuar nga RCC dhe Departamenti Britanik për Biznes dhe Tregti, ku u prezantuan projekte strategjike dhe u nxitën investime në energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Dokumentet e miratuara nga ministrat e Ekonomisë do t’i bashkohen paketës së mjedisit dhe do të përbëjnë bazën e Samitit të Procesit të Berlinit, që mbahet javën e ardhshme në Londër.