Nga Et’hem Ruka
Tomorri, froni i perëndive, është mali që prej shekujsh është parë si ura që bashkon tokën me qiellin, vendi ku njeriu e ndien veten më pranë Zotit se kudo tjetër. Retë që pushojnë në majën e tij duken sikur marrin bekimin, para se të marrin rrugën për të shpërndarë pikat e shiut mbi tokat e etura.
Kur ishim fëmijë, ngjiteshim mbi kodrat e fshatit, buzë luginës së Vjosës, dhe e shikonim me adhurim Tomorrin, që dominonte gjithçka në horizontin përreth.
Tomorri ynë, ashtu si edhe Olimpi në veriun e Greqisë, noton në botën e miteve dhe legjendave që e kanë zanafillën në kohëra kur njerëzimi ende nuk i kishte formësuar besimet e sotme fetare.
Vetëm ky mal ka fituar titullin më të lartë moral e shpirtëror, duke u quajtur ndër shekuj Baba Tomorri. Ky At i shenjtë përfytyrohet si një burrë i moçëm e i mençur, i mbështjellë me mister, që qëndron si ndërmjetës mes qiellit dhe tokës.
Mjekra e tij e bardhë si bora, e gjatë dhe e dendur, sytë me ngjyrën e qiellit të hapur, fytyra e qetë dhe balli i lartë, bashkë me flokët e thinjur, i japin atij pamjen e një qenieje me tipare hyjnore.
Askush nuk e ka parë Baba Tomorrin me sytë e trupit, Njerëzit e kanë parë vetëm me sytë e mendjes. Por, edhe pse nuk e është parë kurrë, ai na sheh sa herë që afrohemi në shtëpinë e tij, në malin e Tomorrit. Ai, aq sa është bujar, i dashur dhe fatsjellës për njerëzit e mirë, aq është i rreptë dhe ndëshkues për ata që bëjnë keq. Ai ka mënyrën e vet për të ruajtur çdo pëllëmbë të malit, për të shpërblyer të mirët dhe për të ndëshkuar të këqijtë.
Thonë se Baba Tomorri sheh me sytë e katër shqiponjave, që sjellin e marrin lajme prej tij. Ato janë shpendë të fuqishëm e të bekuar, që nuk lodhen kurrë. Fluturojnë pa pushim dhe, sa herë që shohin diçka të keqe, e njoftojnë Baba Tomorrin, që të marrë vendimin e duhur. Ai ka mënyrat e tij për të ndëshkuar të keqen.
Kur ai zemërohet, grumbullon retë dhe shpërthen stuhinë. Urdhëron erërat që të ngrejnë gjithçka në ajër dhe ta përplasin mbi shkëmbinjtë e thepisur. Ai komandon rrufetë dhe bubullimat, që bien si shigjeta zjarri mbi ata që guxojnë të sfidojnë malin. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit të tij.
Thonë se njëherë një pasha i pasur, i rrethuar nga shumë trima, vendosi ta sfidonte Baba Tomorrin. Ai nuk deshi të dinte për fuqinë dhe forcën e tij të padukshme. U ngjit deri në majat e Tomorrit dhe nisi të ndërtonte sarajet e tij verore, për të qënë sa më afër Zotit.
Shqiponjat e malit e panë dhe menjëherë e njoftuan Baba Tomorrin. Ky e pleqëroi gjatë atë që po ndodhte… dhe më në fund dha urdhrin.
Atë natë, qielli u nxi. Era filloi të frynte me egërsi, rrufetë çanin errësirën pa pushim, ndërsa bubullimat gjëmonin aq fort sa dëgjoheshin me frikë deri në skajet më të largëta.
– Është egërsuar Baba Tomorri, -thoshin njerëzit. – Me siguri ka një arsye.
Të nesërmen, kur drita e parë ra mbi majë, askush nuk gjeti më asgjë. As gurë, as gëlqere, as kazma, as mushka… e as njerëz. Dukej sikur vet mali t’i kishte përpirë. Që nga ajo dtë askush nuk goxoi të bënte të njëjtin gabim.
Baba Tomorri nuk është i vetëm. Sipas legjendës, ai kishte një motër shumë të bukur, aq sa kushdo që e shihte mbetej i shtangur. Shumë burra të fisëm, si pashallarë e gjeneralë, por edhe njerëz të thjeshtë, kishin dashur ta bënin shoqe jete, por askush nuk kishte mundur.
Baba Tomorri nuk mund ta jepte aq lehtë miratimin. Atij nuk i mbushej mendja se ata që vinin për të kërkuar dorën e saj ishin të denjë për zemrën dhe bukurinë e saj hyjnore.
Për ta shpëtuar nga kjo bezdi e përditshme, ai vendosi ta çonte motrën e tij në një shpellë magjike, që lidhej drejtpërdrejt me zemrën e malit. Brenda asaj shpelle nuk mungonte asgjë dhe ajo ndihej më e qetë se kudo tjetër.
Ajo nuk dilte gjatë ditës, që të mos shqetësohej nga sytë e njerëzve. Dilte vetëm në mbrëmje, kur rrezet e argjendta të hënës ndriçonin gjithçka përreth. Ndërsa ajo hidhte vështrimin mbi luginën e Osumit këndonte këngën e saj magjike.
Thuhet se shpella e saj lidhej me një liqen të nëndheshëm, që ndodhej në zemër të malit. Prej tij burojnë të gjitha burimet që rrjedhin përreth malit. Motra e Baba Tomorrit ishte ajo që rregullonte rrjedhën e ujit në këto burime: shpërblente të mirët me ujë të pastër e të bollshëm dhe ndëshkonte ata që silleshin keq.
Gojëdhënat thonë se, diku jo shumë larg malit të Tomorrit, jetonte një pasha i pasur dhe i fuqishëm. Koha i kishte ardhur për t’u fejuar e për t’u martuar. Kishte marrë shumë propozime për të lidhur jetën me vajza pashallarësh e familjesh të mëdha, por nuk kishte pranuar asnjërën prej tyre.
Ai mendonte se e vetmja zonjë e denjë për të ishte motra e bukur e Baba Tomorrit. E dinte mirë se, në kushte të zakonshme, nuk mund ta fitonte kurrë dorën e saj. Prandaj zgjodhi rrugën e forcës. Paratë nuk i mungonin dhe trimat që e rrethonin ishin të shumtë e të bindur.

Në mendjen e tij kishte marrë formë një vendim i rrezikshëm…
Pashai, i marrosur nga dashuria që i kishte pushtuar zemrën për bukuroshen e Tomorrit, u nis për ta gjetur dhe për ta marrë me forcë. Kur arritën në këmbët e malit, gjithçka dukej se po shkonte sipas planit. Zgjodhën shtigjet më të fshehta, që të mos i shihte askush, me shpresën se do të arrinin deri te shpella ku bukuroshja e malit qëndronte e fshehur.
Ata mendonin se mjaftonte të shtynin gurin që mbyllte hyrjen e shpellës, ta rrëmbenin bukuroshen dhe të ktheheshin nga kishin ardhur.
Por nuk e dinin se syrit të katër shqiponjave nuk i shpëtonte asgjë. Ato rrotulloheshin lart mbi mal, duke vrojtuar çdo lëvizje, ashtu si dikur gjiganti prej bronzi, Talosi, ruante brigjet e Kretës nga piratët dhe keqbërësit e detit.
Pasi Baba Tomorri mori vesh se çfarë po ndodhte, shkundi krahët, përkëdheli mjekrën, hodhi vështrimin drejt qiellit dhe bërtiti me gjithë fuqinë e tij për ndëshkim.
Aq mjaftoi. Retë u grumbulluan rrufeshëm, era filloi të fishkëllente si kurrë më parë, shiu ra me rrëke dhe rrufetë zbrisnin si shigjeta të drejta mbi shtigjet e malit. Asgjë nuk mbeti gjallë përpara atij zemërimi.
Që nga ajo ditë, asnjë frymë e gjallë nuk guxoi t’i afrohej shpellës ku banonte motra e tij.
Megjithatë, Baba Tomorri deshi të sigurohej se motra ishte e paprekur. E thirri dhe e pyeti nëse i kishte qëndruar besnike betimit që i kishte bërë, për të mos u martuar me askënd pa bekimin e tij. Motra, me një zë të qetë e të sigurt, hapi gurin e portës, doli jashtë, e përqafoi të vëllanë dhe i tha se gjithçka ishte në rregull.
Baba Tomorri u qetësua dhe u kthye te froni i tij, ndërsa motra u rikthye në shpellë. Që nga ajo ditë, sa herë që binte muzgu, nga hyrja e shpellës përhapej një dritë magjike, sikur ajo të thoshte: Jam gjithmonë këtu dhe ndihem e sigurt në zemër të malit.
Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Baba Tomorri mori një vendim që nuk e ndryshoi kurrë: kushdo që do të vinte në malin e Tomorrit me zemër të pastër do të merrte bekimin e tij dhe të dritës së diellit, por kushdo që do të vinte me qëllime të këqija do të përballej me një ndëshkim që nuk e kishte provuar kurrë më parë.
Që nga ajo kohë Mali i shenjtë i Tomorrit i njeh mirë zemrat e njerëzve. Të mirëve u jep dritë hyjnore, ndërsa të të ligjve u sjell vetëm stuhi.

