Avioni që nuk përplaset kurrë? Studentët krijojnë sistemin e mbijetesës REBIRTH

Pas aksidentit tragjik të kompanisë Air India, një grup inxhinierësh kanë krijuar një sistem të ri sigurie, të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, me synimin për të parandaluar fatkeqësi të ngjashme në të ardhmen. Ideja e tyre duket thuajse e pabesueshme: një avion i pajisur me airbagë të jashtëm, që sipas tyre mund të shpëtojë jetë.

Ky koncept i pazakontë, i quajtur Project REBIRTH, është futur në finalen e James Dyson Award, çmimi që vlerëson shpikjet që mund të ndryshojnë botën.

“Projekti REBIRTH është sistemi i parë i mbijetesës së përplasjeve i fuqizuar nga AI,” shkruhet në përshkrim. “Ai përdor airbagë inteligjentë, lëngje që thithin goditjen dhe shtytje të kundërt në ajër, duke e kthyer një përplasje fatale në një ulje të mbijetueshme.”

Sipas krijuesve, sensorët e AI-së zbulojnë momentin kur një përplasje është e pashmangshme dhe aktivizojnë airbagët që rrethojnë trupin e avionit, duke e kthyer në një “kokërr kokoshke gjigande”. Në teori, kjo mbrojtje siguron që ulja të mos jetë fatale, pavarësisht shpejtësisë së avionit.

Inspirimi nga tragjedia e Air India

Autorët e këtij projekti, Eshel Wasim dhe Dharsan Srinivasan nga kampusi i Dubait i Birla Institute of Technology and Science, u frymëzuan nga aksidenti tragjik i fluturimit Air India 171 në qershor. Avioni 787-8 Dreamliner u rrëzua në Ahmedabad vetëm 30 sekonda pas ngritjes drejt Londrës, duke marrë jetën e 241 pasagjerëve dhe duke lënë vetëm një të mbijetuar.

“Pas aksidentit, nëna ime nuk mund të flinte dot,” shkroi një nga krijuesit. “Ajo vazhdimisht mendonte për frikën që kanë përjetuar pasagjerët dhe pilotët, duke ditur se nuk kishte asnjë rrugë shpëtimi. Kjo ndjesi pafuqie na përndoqi. Pse nuk ekziston një sistem që të garantojë mbijetesë edhe pas dështimit?”

Ata shtojnë: “REBIRTH nuk është vetëm inxhinieri, është një përgjigje ndaj dhimbjes. Një premtim se mbijetesa mund të planifikohet dhe se edhe pas dështimit mund të ketë një shans të dytë.”

Si funksionon sistemi REBIRTH

Sistemi monitoron vazhdimisht lartësinë, shpejtësinë, motorët, drejtimin, zjarrin dhe reagimin e pilotit. Nëse një përplasje është e pashmangshme nën 3,000 këmbë, airbagët aktivizohen automatikisht, megjithatë kapiteni ka ende të drejtën t’i anulojë ato.

Airbagët, të ndërtuar me shtresa tekstili rezistent, dalin “nga hunda, barku dhe bishti i avionit brenda më pak se 2 sekondash”, duke thithur goditjen dhe duke mbrojtur trupin e avionit.

Sistemi përfshin edhe:

  • Shtytje të kundërt të motorëve, për të ngadalësuar zbritjen, nëse motorët funksionojnë.
  • Gas-thrusters, nëse motorët janë jashtë funksioni, për të ulur shpejtësinë me 8–20%.
  • Lëngje që ngurtësohen në momentin e goditjes, të vendosura pas mureve dhe sediljeve, për të reduktuar dëmtimet e pasagjerëve.

Sipas shpikësve, airbagët mund të shtohen edhe në avionët ekzistues ose të instalohen në modelet e reja. Tani ata planifikojnë të bashkëpunojnë me laboratorë të aviacionit për testime të specializuara.

Çfarë pritet më tej?

Nuk dihet ende kur sistemi REBIRTH do të vihet në përdorim real, por autorët theksojnë se duan që ai të testohet, aprovohet dhe të përdoret në fluturime të vërteta.

Nëse fitues të James Dyson Award, i cili do të shpallet më 5 nëntor, do të jenë Wasim dhe Srinivasan, ata do të marrin mbi 40,000 dollarë dhe mundësinë për të krijuar kompaninë e tyre.

Megjithatë, ata thonë se qëllimi i tyre nuk është fama apo fitimi financiar:

“Ky konkurs është vetëm hapi ynë i parë për ta çuar vizionin tonë përpara, jo për njohje, por me shpresën që një ditë mund të shpëtojë jetë kur gjithçka tjetër dështoi.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME