–Njeriu që e shenjtëroi punën me djersë
“Në këtë tokë, çdo rresht i mbjellë është një shpresë”
Modeli që Dibrës i jep lavdi dhe Shqipërisë shpresë
Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh
Kodrat e Pejkës morën dritën e mundit
Në veriun e Shqipërisë, aty ku malet e Dibrës mbështeten si krahë shqiponje mbi njëri-tjetrin, fshati Pejkë zgjohet çdo mëngjes me ritmin që nuk e njeh fjalën pushim. Midis tyre qëndron një emër, që tashmë është bërë simbol. Në zemër të Dibrës malore, ku livadhet takohen me qiellin dhe ajri mbushet me erëza dhe freski, ngrihet figura e njeriut që punon si shqiponja mbi tokën e tij: Atli Mani.
Është vendi, ku toka nuk ka nevojë për fjalë për t’u bërë e bukur, pasi çdo rrënjë, çdo pemë dhe çdo arë flet vetë. Ajri i pastër që lubrifikon mushkëritë, bashkohet me aromën e barit të freskët dhe të bimëve që lulëzojnë nëpër kodra, ndërsa drita e mëngjesit depërton ngadalë mbi arat e mbjella.
Fshati duket i qetë, por nuk ka çast pa lëvizje. Kuajt e transportit lëvizin ngadalë mbi rrugicat e shtruara me dhe, ndërsa zogjtë këndojnë mbi pemët e frutave. Në këtë vend, çdo gjë ka ritmin e saj: toka, malet, njerëzit. Dhe pikërisht këtu fillon dita e Atli Manit, burrit që ka zgjedhur të qëndrojë dhe të ndërtojë gjithçka me duart e veta.
Pejka nuk është thjesht një fshat, por përjetim i natyrës dhe histori pë t’u treguar. Banorët e këtij fshati kanë mësuar të jetojnë me tokën, me ajrin dhe me diellin, duke i dhënë çdo dite kuptim përmes punës së tyre. Shumëkush mund ta shohë vendin thjesht nga pamja e jashtme, por kush e di Pejkën nga afër, kupton fuqinë e natyrës dhe kurajon e njerëzve, që e kanë bërë këtë vend të gjallë.
Atliu nuk është thjesht fermer, por simboli i një Shqipërie që nuk është dorëzuar, i Shqipërisë ku puna dhe djersa është thesari më i madh.
Në Pejkë, familja Mani ka kthyer çdo kodrinë të thatë në arë pjellore, çdo shkurre në pemishte dhe çdo tokë të braktisur në mundësi për të krijuar jetë. Tre djemtë, tre nuset dhe nipërit ndjekin ritmet e tij, mësojnë nga çdo veprim dhe japin ndihmesë në simfoninë e përditshme ku puna, familja dhe natyra bashkohen në harmoni të përkryer.
Mëngjesi nis herët. Kur dielli është ende pas maleve, zhurma e motorëve të traktorëve përzihet me këngën e zogjve. Atliu i ngre sytë nga kodrat,që dikur ishin të shkreta dhe thotë me krenari: “Çdo rrënjë që mbjell, çdo pemë që ujit, është një ditë e fituar.” Dita do të jetë e gjatë, por ajo që fillon këtu, në zemër të Dibrës, do të lërë gjurmë për të gjithë fshatin.
Është njeriu që nuk njeh ndalesë, nga orët e para të zbardhjes e deri në mbrëmjen vonë, kur mbyllet me erën e kashtës së freskët dhe cicërimat e fundit të zogjve. Çdo mëngjes, para se dielli të ndriçojë arat dhe pemishtet, është në veprim, duke planifikuar ditën e kontrolluar lopët, pemët dhe çdo dynym tokë që i është besuar.
Në Pejkë, çdo pemë qershie, çdo rrënjë mollë, çdo dru gështenje, çdo lopë dhe çdo litër qumështi nuk është thjesht produkt, por dëshmi e përkushtimit, e dashurisë për tokën dhe e respektit për traditat. Ky vend nuk gjurmohet vetëm nga rrugët e shtruara, por nga këmbët e një familjeje që punon me djersë, me zemër dhe me shpirt.
Historia që nis këtu, është tregimi i një legjende moderne. Është historia e njeriut që me punë, vizion dhe dashuri për tokën, ka krijuar një botë të vogël, ku çdo ditë është mundësi për të frymëzuar, për të mësuar dhe për të ndërtuar jetë të qëndrueshme. Në Pejkë, Atli Mani është shqiponja i cili ngrihet çdo ditë dhe me fluturimin e tij, tregon se mundësitë janë të pafundme për ata që guxojnë dhe punojnë.
Koha që nisi herët
Atliu është biri i Rustem Manit, brigadierit dhe përgjegjësit të njohur të sektorit të Melanit, që e shenjtëroi punën me djersë. Nga babai mori jo vetëm përvojën, por edhe krenarinë e njeriut që e sheh tokën si pasuri, jo si barrë.
“Tokës duhet t’i japësh, pastaj t’i kërkosh”, thotë shpesh Atliu, teksa ngjitet mbi traktorin që ndizet me të zbardhur. Me 22 janar të vitit 1970 u lind ky burrë, që do të kthehej në simbol të punës dhe qëndrueshmërisë dibrane.
Atliu 55-së vjeçar është më energjik se kurrë. Me disa traktorë, me freza, plugje, korrëse foragjeresh e autokombajnë, udhëheq familjen në punët e përditshme duke mos njohur ditë pushimi. Mani punon me moton:
“Në këtë tokë, çdo rresht i mbjellë është një shpresë”, duke shtuar se shpresa nuk vjen nga qielli, por është brenda forcës mendore dhe fizike.
Çdo mëngjes është fillim i ri, mundësi për të bërë diçka të madhe në tokën që ofron gjithçka, por kërkon sakrificë dhe dashuri. Pejka nuk është vetëm vendi i punës, por edhe shkolla e jetës, vendi ku brez pas brezi mësojnë se puna dhe përkushtimi janë çelësi i suksesit.
E tërë familja luan simfoninë e punës
Familja Mani është si një orkestër që luan në harmoni. Tre djemtë Arseni, Floralbi dhe Astriti, tri nuset Brisilda, Xhoana dhe Suada, gruaja Dallëndyshja dhe katër nipërit e vegjël Arsiani, Ajsela, Adi dhe Ardiani të gjithë janë pjesë e së njëjtës simfoni të punës.
Në oborrin e shtëpisë, ku era e barit të kositur përzihet me aromën e qumështit të freskët, dëgjohet zëri i një traktori të vogël. Është njëri prej nipërve, vetëm shtatë vjeç, që mëson të drejtojë me kujdes timonin. Kështu rriten fëmijët e kësaj familjeje me shembullin para syve, me ndershmërinë si mësim dhe me dashurinë për tokën si trashëgimi.
Familja Mani është model i bashkëpunimit dhe organizimit të përditshëm. Në shtëpinë e Atli Manit, çdo anëtar ka rol të qartë dhe çdo detyrë ndihmon në jetën e përbashkët. Gruaja e tij, Dallëndyshja, është zemra e familjes. Kujdeset për planifikimin e punëve, përgatitjen e ushqimit dhe koordinimin e ngarkesave bujqësore. Por ajo nuk qëndron vetëm në kuzhinë. Është e pranishme në blegtori, kujdeset për lopët dhe viçat dhe ndihmon në përpunimin e qumështit që do të shitet në treg.
Arseni fokusohet në mbjellje dhe korrje, duke menaxhuar arat dhe pemishtet. Floralbi ndihmon në mekanizimin dhe përgatitjen e tokës, duke punuar me traktorë dhe freza, ndërsa Astriti është i angazhuar në tregti, organizim dhe organizimin e punës së përditshme. Tre djemtë punojnë në harmoni dhe nën udhëheqjen e babait, duke bërë që çdo ditë të jetë produktive dhe e frytshme.
Tri nuset Brisilda, Xhoana dhe Suada, janë pjesë e pandashme e veprimtarisë familjare. I kushtojnë vëmëndje blegtorisë, përpunimit të produkteve bujqësore, përgatitjes së ushqimit dhe organizimin e shtëpisë. Çdo ditë ndihmojnë në mbledhjen e boronicës, dëllinjës, çajit të malit dhe trëndafilit të kuq, duke i përgatitur për treg. Pa angazhimin e tyre, puna e përditshme nuk do të ishte kaq e strukturuar dhe e suksesshme.
Nipërit, pavarësisht moshës, janë gjithashtu të përfshirë në aktivitetet e fshatit. Arsian, Ajsela, Adi dhe Ardian mësojnë të ndihmojnë në blegtori dhe të kuptojnë rëndësinë e punës së përbashkët. Çdo gjë që bëjnë, është mësim për jetën dhe mënyra se si mund të angazhohen në familje dhe në fshat.
Nga kodrina në pasuri
Toka që Atliu zotëron nuk ishte gjithmonë e begatë. Në tokën kodrinore prej 2.5 dynymësh, pronë që i la i jati mungonte uji. Atliu, me kursimet e veta, bleu edhe 5 dynym të tjera te “Kodra e Fidës”. Për shumëkënd u pa si investim i kotë. Por Atliu mbetet vizionar dhe të nesërmen e gatuan që sot.
Gjithnjë është i bindur në atë që bën dhe i saktë në atë që thotë. Vendosi tubacione të gjëra dhe nëpër to kalon ujë dhe pleh të lëngshëm organik. Shtoi kujdesin për çdo fidan. Mbolli 240 rrënjë qershi të tipit “Burlat” dhe “Ferovia”, të cilat japin prodhim të bollshëm.
Më pas, shtoi edhe 5 dynym mollë të llojit “Xhon”, me kokrra të kuqe e aromë të veçantë. Tregtarët nga Peshkopia, madje edhe nga Tirana vijnë e ia marrin prodhimin në vend. Në vit të mirë, të ardhurat nga frutat japin të ardhura të kënaqshme. Kodrina e thatë është kthyer në pasuri të gjelbër, në dëshmi të vizionit që lindi nga puna, duke mbjellur së pari djersën, pastaj bimët dhe pemët.
Blegtoria, pemëtaria dhe bimët mjekësore
Atliu nuk është vetëm bujk, por edhe blegtor. Bën edhe kasapin duke shpërndarë mish në Pejkë. Dallon për mbledhjen e bimëve mjekësore dhe tregtar aktiv për shitjen e prodhimeve. Ka 7 lopë e 7 viça, 15 dele e qingja, kuaj për transport dhe gjithçka tjetër. Çdo ditë dorëzon 120 litra qumësht në tregtinë e Peshkopisë, krahas nevojave të familjes.
Në stinën e verës, kur lartësitë e zonës mbushen me gjelbërim, ngjitet në bjeshkë në malin e Rozofolit, në Tetovë, Gostivar e deri lart në malin piktoresk të Sharrit për të mbledhur boronica, dëllinja, çaj mali, trëndafil të kuq e lule aguliçe. Kjo është traditë që mbahet gjallë në Dibër, por falë njerëzve si Atliu, po ringjallet.
–Bima e egër është dhuratë e natyrës, por duhet dorë njeriu që ta kthejë në mirësi.
Mbetet i pa lëvizur nga ky mendim Atli Mani.
Një ditë e zakonshme, e një jete të jashtëzakonshme
Dita e Atliut nis përpara agimit. Në orën pesë, traktorët marrin rrugën drejt arave. Në mëngjesin e freskët, zhurma e motorëve përzihet me këngën e zogjve. Dallëndyshja përgatit mëngjesin dhe u shpërndan burrave bukë, djathë në shportë e perimet e bahçes. Më pas, bashkë me nuset, merret me qumështin, gjalpin, me mbledhjen e frutave, me kujdesin për kopshtin e shtëpisë.
Në mesditë, kur dielli ndizet, burrat shkojnë në arat e largëta në Ravdisht, Bellovë, Vegjynec, Melan, Davalan, Pejk e Herbel aty ku mbjellin 30 dynym grurë, 15 dynym thekër, 30 dynym jonxhë, 15 dynym misër. Janë toka që kërkojnë punë, por japin shumë. Por edhe u shërbejnë banorëve të zonës për nevojat që kanë.
Kur bie mbrëmja, Atliu mundet të frymojë më i qetë. Para kësaj është parë në pozicionin e shoferit, duke transportuar fëmijët e fshatit me mikrobus në shkollë e kopësht. Merr latën dhe shpërndan mishin e prerë banorëve të zonës. Bën edhe tregtarin, duke shitur e dorëzuar prodhimet në tregun e qytetit. Është kthyer kështu në heroin e heshtur të punës, që është mbjellë në krahët e fuqishëm, në mëndjen e mprehtë dhe në vullnetin e pazakontë.
Duke u ndërtuar kështu profili i njeriu të zakonshëm, por me përpjekje të jashtëzakonshme, Atli Mani është kthyer në nderin e Pejkës, në mburrjen e Melonit, në pararojën e trevës tërheqëse të Dibrës. Puna e lyer me djersë, gjithnjë mbetet e artë, e pandryshkuar.
Tradita që vazhdon me brezat
Babai i Atliut –Rustemi, për kohën që drejtoi sektorin dhe brigadat në kooperativën bujqësore të Melonit, bëri emër, pasi u dallua në drejtimin dhe organizimin e punëve. Atliu jo vetëm që e ka ruajtur këtë trashëgimi, por e ka çuar edhe më tej. Me tre djemtë, ka zgjeruar tokën në 30 dynym të blerë dhe 50 të marra me qira, duke e kthyer familjen në një mini-ekonomi bujqësore të kompletuar.
Në pronën e tyre janë 400 rrënjë qershi, 300 rrënjë mollë, 200 rrënjë kumbulla, 150 rrënjë arra dhe 1000 rrënjë gështenja. Janë mbjellë edhe mijëra rrënjë aguliçe, ndërsa pylli i dikurshëm, “Dardha e Ali Pejkës”, është transformuar në dy hektarë zabel të gjelbër. Tre djemtë Arseni, Albi, Astriti ruajnë vazhdimësinë e brezave. Punojnë fort së bashku me të jatin.
Në zabelin e shkurreve janë mbjellë 400 trungje gështenja. Pranë tyre janë me qindra plepa dhe dardha të egra. Kaçubet e dëllinjave japin bukuri përrallore. Nga krasitjet e drurëve të këtij pylli të dëndur, shpresohet të eksportohet lëndë druri për djegje. Në çdo degë, në çdo trung, ndjehet dora e njeriut që e do jetën dhe përpiqet të zbukuroj atë.
Krahas pemëtarisë vazhduesit e Rustem Manit, Atliu me tre djemtë, 3 nuset, pse jo edhe ndonjë nip më i rritur janë angazhuar edhe me mbjelljen e kulturave të tjera bujqësore si misër, grurë, tërshërë, burxhak, jonxhë. Në 1 hektarë sipërfaqe janë “strehuar” arrat e shartuara, si dhe lajthia. Familja Mani nuk ka lidhje me shtetin, përkundrazi i japin prodhime me mollë, qershi, arra, gështenja, qumësht, mish. Punësojnë edhe forca pune, kur vjen koha e pikut të prodhimeve. Heronj të vërtetë.
Mbjellin, vjelin, prodhojnë, shartojnë, shesin, eksportojnë qershi, mollë e gjithçka tjetër që kërkon tregu. Çfarë praktike, çfarë shembulli i jashtëzakonshëm! E ku e ka mendjen Atli Mani për të parë jashtë kufijve, pasi është mbret në tokën dhe punën e tij. Shembulli i këtij heroi të punëve të mbara, të mbuluara me djersë të pastër e të florinjtë, është përhapur në të gjithë Dibrën dhe mbetet modeli i përgjithësimit në këtë trevë të Shqipërisë verilindore.
Mekanizimi dhe përparimi
Personazhi jo i zakonshëm i këtij shkrimi, është fort i bindur dhe ky ështëg fakt i argumentuar, se pa mjete të mekanizuara nuk ka bujqësi të përparuar. Me të ardhurat që grumbullon, investon fuqishëm, pa u ndalur për mjete të mekanizuara, traktorë, rimorkio, plugje, disqe, paisje për mbjellje, motokorrëse për foragjerët, autokombajnë për korrjen e grurit, forma të tjera të mekanikës bujqësore për korrjen dhe përpunimin e misrit, mekanizëm që bën kavaletin pas korrjes së kashtës, freza dore, pompë spërkatëse 1000 litërshe, mikrobuzë, makina të vogla etj.
Oborri para shtëpisë ngjason me SMT-të e dikurshme. Përveç punëve në pronat e tij, hidhet në fshatra të zonës, duke u marrë edhe me tokat e fermerëve të tjerë.
Sapo shqipton emrin Atli Mani, biografia e tij njihet nga çdo bujk, nga çdo fshatar, nga çdo njeri i zonës, pasi është një biografi e krijuar me djerësë dhe mund, me përpjekje dhe sakrifica, duke kapërcyer çdo vështirësi, e ngjitur me plot meritë në podin e nderit, aty ku e kanë vendin njerëzit e mëdhenj, të palodhur dhe të pamposhtur të punës dhe vetmohimit.
Atliu formulon një postulat:
-Tani fshati nuk vuan për tokë, por për njerëz që ta duan tokën.
Mani është shembulli i atyre që qëndruan dhe ndërtuan kapital këtu, në Shqipëri. Ndërsa shumë kërkojnë shansin jashtë kufijve, ai e kërkoi dhe e gjeti fatin e vet këtu në dheun, që njeh çdo rrënjë dhe në diellin që përshkon kodrat e Pejkës.
-Ne nuk kemi ikur, dhe as kemi ndërmënd ta bëjmë këtë veprim, sepse këtu kemi gjithçka. Këtu është djersa jonë. Këtu është e ardhmja e fëmijëve tanë.
Atliu Mani dhe familja e tij kanë kthyer çdo kodrinë të Pejkës në një laborator të gjallë bujqësie. Me një sipërfaqe prej rreth 150 dynymësh të punuar me dorën e tyre, kanë krijuar një mini-parajsë frutash. Nuk ka sfidë që t’i trembë.
Mesazh për gjithë Shqipërinë
Në vendin ku shumëkush e sheh të ardhmen përtej kufirit, njerëz si Atli Mani tregojnë se e ardhmja mund të ndërtohet këtu, mbi dheun e vet. Mbetet prova e gjallë, se suksesi nuk është privilegj i qytetit, por i njeriut që punon me mend dhe me duar.
Pejka e Dibrës nuk është më vetëm fshat i largët në hartë, por simbol i qëndresës dhe punës shqiptare. Dhe në qendër të saj qëndron Atli Mani, bujku, tregtari, kasapi, shoferi, babai dhe udhëheqësi i një familjeje që i jep kuptim fjalës dinjitet.
Aspekt tjetër i menaxhimit ekonomik, është ruajtja dhe investimi i të ardhurave. Përfitimet nga tregtia e qershive, mollëve, boronicës dhe bimëve medicinale përdoren për të blerë tokë të re dhe për të përmirësuar pajisjet. Ky cikël i vazhdueshëm, ka bërë që familja të qëndrojë e pavarur ekonomikisht.
Atli Mani po tregon se në Shqipërinë malore, puna e palodhur dhe vizioni afatgjatë mund të kthehen në fitime, siguri dhe respekt. Çdo rrënjë qershi, çdo pemë, çdo litër qumështi dhe çdo kilogram frutash janë dëshmi e angazhimit të tij dhe e një praktike të qëndrueshme që duhet ndjekur nga brezat e rinj.
Në Pejk, historia e familjes Mani dhe e Atli Manit është tregim për punën, dashurinë për tokën dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Ky shembull mbetet i paharrueshëm dhe frymëzues, duke treguar se me disiplinë dhe bashkëpunim, mund të ndërtohet jetë e plotë dhe e suksesshme.
Atliu Mani nuk ndalet tek suksesi i ditës. Mendon për të nesërmen dhe brezat që do të vijojnë. Vizioni i tij është që familja të vazhdojë të zhvillohet, të zgjasë sipërfaqet e mbjella dhe të ruajë cilësinë e produkteve. Dëshiron që nipërit dhe djemtë të mësojnë çdo teknikë, çdo praktikë dhe çdo mençuri që ka mbledhur gjatë viteve, për t’i dhënë jetës së tyre siguri dhe perspektivë.
Shqiponja e Pejkut: Legjenda e punës dhe e natyrës
Në fund të ditës, kur ajri i ftohtë i malit vjen si bekim mbi arat e gjelbra, Atliu ndalet për pak dhe sheh nga kodrat që vetë i ka gjallëruar. Toka që dikur ishte shkurre, është kthyer në pemishte. Vendi që dikur heshti, po flet me zhurmën e traktorëve dhe me gëzimin e një jete të ndershme.
Ky është Atli Mani, shqiptari që nuk e pret fatin, por e ndërton me punë, me djersë, me mund, me duar të hekurta e mëndje të arë. Njeriu që çdo mëngjes e nis me tokën dhe çdo mbrëmje e mbyll me shpresën. Kur dielli ngrihet mbi male e livadhe të Pejkut, një figurë duket gjithmonë në horizont.
Është Atliu, i ngritur si shqiponja mbi tokën e tij. Me duart e forta dhe sytë e mendjes, shikon çdo pemë, çdo dynym, çdo lopë dhe çdo rrënjë me dashuri dhe përkujdesje. Çdo veprim është një këngë e heshtur për natyrën, një ritëm i përditshmërisë që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Familja Mani nuk është thjesht një familje. Është orkestër e koordinuar e jetës dhe punës. Tre djemtë, tre nuset, nipërit dhe çdo pjesëtar i angazhuar, lëvizin si nota muzikore në një simfoni që lulëzon mbi arat, pemishtet, pyjet dhe malet. Toka, pemët, bagëtia dhe bimët medicinale janë instrumentet e kësaj simfonie dhe çdo ditë e tyre është një koncert që këndohet me djersë, përkushtim dhe dashuri.
Historia e Atli Manit është legjendë moderne e Dibres, i njeriut që sheh larg dhe vepron me zemër, duke treguar se puna, vizioni dhe dashuria për tokën janë vlerat më të çmuara. Dhe kështu, ndërsa dielli perëndon mbi Pejk, hapat e Atli Manit dhe familjes së tij lënë gjurmë në tokën, në zemrat dhe në kujtesën e gjithë komunitetit.
Një rrëfim për punën, dashurinë dhe frymën e një Shqiponie që nuk ndalet, një testament i përjetshëm i energjisë dhe vizionit që lulëzon në malet dhe livadhet e Dibres.
Atli Mani, modeli që Dibrës i jep lavdi dhe Shqipërisë shpresë.