Asfaltimi i Via Egnatia-s, Auron Tare, kryeministrit: Ndërhyni dhe ndaloni këtë masakër mbi trashëgiminë tonë kulturore

Studiuesi Auron Tare ka reaguar, pasi drejtuesit vendor kanë publikuar fotografi duke asfaltuar Via Egnatia-n. Tare shprehet se kryeministri duhet që të ndërhyjë dhe ta ndalojë këtë masakër mbi trashëgiminë tonë kulturore. Ai shton se Via Egnatia mban shumë histori dhe është tepër e gabuar të mbulohet me asfalt.

Z. Kryeministër,

Vini dorë, ju lutem, vini dorë për të ndërhyrë dhe për të ndaluar këtë masakër në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.

Përpos faktit që po bëhemi qesharakë në sytë e botës, po shkatërrojmë edhe atë pasuri që kemi trashëguar ndër shekuj.

Trashëgimia jonë kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë, megjithë dëshirën e mirë që mund të jetë arsyeja e këtyre ndërhyrjeve kaq qesharake dhe absurde.

Rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe futja e OJF-ve, firmave dhe institucioneve që nuk kanë kapacitete, po sjell dëme të pakthyeshme në trashëgimi.

Via Egnatia është një ndër 10 rrugët më të rëndësishme të civilizimit europian. Rruga ku shkelën legjionet romake gjatë Luftës Civile të Cezarit dhe Pompeut. Rruga ku shkelën perandorët e çdo epoke imperiale nga Roma drejt Konstandinopojës. Nga ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike prej Jeruzalemit. Nga ku kultura e Orientit mbërriti në Europë. Rruga nga ku barbarët rrënuan civilizime, por pa e shkatërruar atë. Rruga e kryqëzatave që vërshuan drejt Lindjes. Udha prej nga Sulltanët hijerëndë otomanë vërshuan drejt Europës së krishterë.

Via Egnatia, trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh, nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës.

Shikoni se si fqinjët tanë janë kujdesur për këtë copë të trashëgimisë europiane. Maqedonia, Greqia e ruajnë me fanatizëm.

Shikoni si Italia e restauron dhe e mbron Via Apia, simotrën e Egnatias, që vinte nga Roma drejt Brundisiumit për t’u lidhur me Egnatian.

Via Egnatia është udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë, përpara se Europa të na shikojë me përbuzje për këto që po bëjmë ndaj trashëgimisë së saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Fitorja ndaj Jordanisë, Rama: Miqësore, po kjo Shqipëri të gëzon

Kryeministri Edi Rama uroi sot Kombëtaren shqiptare për fitoren...

Arrestimi i Ilir Metës, Dumani: Linte shumë për të dëshiruar, por nuk jemi ne përgjegjës

Në listën e gjatë të pyetjeve që Tedi Blushi...

Sylvinho pas fitores spektakolare në miqësoren me Jordaninë: Krenar për Hysajn, ky ekip…

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shfaq i kënaqur...