Asambleja e 33-të e Përgjithshme e Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) u mblodh në Shkup, organizuar nga Agjencia Informative Mediatike (MIA), agjencia zyrtare e lajmeve të Maqedonisë së Veriut.
Konferenca me temë “Zbulimi i së vërtetës në gazetari”, i parapriu hapjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme me pjesëmarrjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe drejtues e përfaqësues të agjencive të lajmeve, përfshirë drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Valbona Zhupa dhe drejtoreshën e Lajmeve dhe Multimedias, Almarina Gegvataj.
Kryeministri Mickoski theksoi në fjalën përshëndetëse se “sot më shumë se kurrë, mediet janë një shtyllë e shoqërive demokratike. Mediet jo vetëm informojnë, por edhe frymëzojnë, bashkojnë dhe krijojnë një klimë prosperiteti”.
“Në kohë sfidash ekonomike dhe sociale, kur qytetarët kërkojnë siguri dhe shpresë, janë mediet ato që mund të përcjellin një vizion, të shpjegojnë reformat dhe të inkurajojnë debatin publik. E vërteta duhet të vlerësohet mbi çdo pushtet”, tha Mickoski.
Gjithashtu, kryeministri i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se “kur qytetarët tanë dëgjojnë lajme pozitive nga vendet fqinje, paragjykimet thyhen dhe miqësitë kultivohen”.
Ai shtoi se dezinformimi dhe kritikat e pabaza janë sfidat më të mëdha jo vetëm për median, por edhe për vetë demokracinë.
“Në epokën e digjitalizimit dhe rrjeteve sociale, dezinformimi është si një virus, përhapet shpejt, krijon mosbesim dhe mund të gërryejë besimin e publikut. Lajmet e vërteta janë themeli i besimit në të ardhmen. Le të jetë kjo konferencë një tjetër shenjë se shoqëritë tona po zgjedhin rrugën e dialogut, bashkëpunimit dhe së vërtetës”, tha Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Roli i agjencive të lajmeve përballë dezinformimit dhe edukimi mediatik
Drejtori i përgjithshëm i MIA-s, Darko Janevski i cili ishte mikpritës i Asamblesë së Përgjithshme të Agjencive Ballkanike të Lajmeve dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) theksoi rëndësinë e gazetarisë dhe burimet e saj.
Sipas tij, e vërteta në gazetari është arsyeja pse ekziston ky profesion. “Roli i gazetarisë bashkëkohore nuk është vetëm të informojë, por edhe të zbulojë të vërtetën, të ekspozojë gënjeshtrat dhe t’ia paraqesë të gjitha këto publikut”, theksoi Janevski.
Kreu i MIA-s shtoi se në ditët e sotme gazetari duhet të fokusohet më shumë në hulumtim, në zbulimin e fakteve, pa e anashkaluar detyrën për të informuar. “Kohërat kanë ndryshuar sikurse ka ndryshuar edhe roli i gazetarit. Qëllimi i tij kryesor duhet të jetë e vërteta. Dhe tek ajo nuk arrihet gjithmonë lehtë sepse ndonjëherë nga e vërteta jonë mund të varet fati i dikujt ashtu siç një gënjeshtër, e bazuar në dezinformim mund ta rrezikojë atë fat. Dhe këtë askush nga ne nuk e dëshiron. Kjo është madhështia e profesionit tonë”, tha ndër të tjera drejtori i agjencisë zyrtare të lajmeve të Maqedonisë së Veriut.
Presidenti në detyrë i ABNA-SE, Kryetari i Bordit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Anadolu (AA), Serdar Karagöz ndau me drejtuesit dhe përfaqësuesit e agjencive të lajmeve disa shtylla udhëzuese të misionit të përbashkët.
“Së pari, rëndësia e etikës. Së dyti, rëndësia e së vërtetës. Ajo nuk është vetëm një parim, por themeli i besimit të publikut. Dhe së treti, ndoshta më e rëndësishmja sot, përballja me dezinformimin”, tha Karagöz.
Ai shtoi se të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër lajmeve të rreme dhe narrativave manipuluese.
Në lidhje me transformimin teknologjik, përfshirë inteligjencën artificiale, automatizimin dhe riformësimin e gazetarisë, Karagöz tha se këto mjete duhet të përdoren duke respektuar standardet etike. “Në këtë periudhë të trazuar, me luftëra, fatkeqësi natyrore dhe tragjedi është e rëndësishme gjithashtu solidariteti mes agjencive të lajmeve, bashkëpunimi rajonal dhe promovimi i edukimit mediatik”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.
Drejtor i përgjithshëm i agjencisë bullgare të lajmeve (BTA), Kiril Valchev theksoi se agjencitë e lajmeve duhet të respektojnë standardet, sepse ata që flasin dhe shkruajnë në mediat sociale nuk respektojnë asnjë standard dhe nuk kanë përgjegjësi ndaj audiencës. “Ne duhet të paraqesim faktet dhe pastaj mendimin sepse këto janë standardet e agjencive të vërteta të lajmeve”, tha Valchev.
Si pjesë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, Kryetari i Bordit Drejtues të AA-së, Serdar Karagöz, ia dorëzoi presidencën e radhës së Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve Kryetarit të Bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të MIA-s, Darko Janevski. Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të vitit të kaluar që u mbajt në Stamboll, u vendos që, pas Maqedonisë së Veriut, mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të viteve 2026 dhe 2027 të mbahen përkatësisht në Itali dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Aleanca e Agjencive Ballkanike të Lajmeve ABNA-SE u krijua në vitin 1995 për të siguruar një bashkëpunim më të madh mes agjencive të lajmeve të rajonit.
Anëtarët e kësaj aleance janë 12 agjenci lajmesh, ATSH, FENA e Bosnjës dhe Hercegovinës, BTA e Bullgarisë, ANA-MPA e Greqisë, ANSA e Italisë, KOSOVAPRESS e Kosovës, CNA e Qipros, AGERPRES e Rumanisë, MIA e Maqedonisë së Veriut, Anadolu Agency e Turqisë, HINA e Kroacisë dhe MINA e Malit të Zi.