Arbian Mazniku: “Proces normal në Cërrik, pjesëmarrja e kënaqshme, rikthimi i emigrantëve ka ndikuar në shifrat”

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Arbian Mazniku, në një prononcim për gazetarët nga Cërriku, ka sqaruar situatën lidhur me ndryshimet në numrin e zgjedhësve krahasuar me zgjedhjet e majit 2025, si dhe ecurinë e procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme të kësaj të diele.

Mazniku theksoi se diferencat në listat e zgjedhësve lidhen me rikthimin e emigrantëve që më parë ishin përfshirë në listën e posaçme të votuesve jashtë vendit.

“U hoqën votuesit që u regjistruan në listën e votuesve jashtë vendit, dhe ata u rivendosën në listën e këtyre zgjedhjeve. Arsyeja pse shihni një numër më të ulët është pikërisht rikthimi i emigrantëve që më parë ishin në listën e diasporës,” – shpjegoi Mazniku.

Duke folur për ecurinë e procesit, ai u shpreh se votimi po zhvillohet normalisht dhe se pjesëmarrja është e kënaqshme.

“Jemi duke kaluar një ditë të mirë për Cërrikun. Deri më tani janë rreth 6 mijë qytetarë që kanë shprehur vullnetin e tyre në të gjitha qendrat e votimit. Ftojmë qytetarët që të dalin sërish dhe të shprehin vullnetin e tyre,” – tha ai.

Mazniku nënvizoi gjithashtu se Cërriku ka përjetuar një periudhë zhvillimi të ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa projektet e reja që pritet të realizohen do të çojnë bashkinë drejt një faze të re përmirësimi dhe investimesh.

“Cërriku ka pasur një periudhë të jashtëzakonshme zhvillimore, por përpara ka edhe më të mirën. Duket se çdo gjë është në rrugë të mbarë. Jemi në numra të ngjashëm me zgjedhjet e fundit dhe deri tani jemi të kënaqur,” – përfundoi drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME