Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë aplikantët për vizë amerikane. Përmes faqes zyrtare, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të verifikojnë me kujdes përputhjen e barkodit të formularit të aplikimit DS-160 me barkodin e takimit për intervistë.
Sipas njoftimit, barkodi në konfirmimin e takimit duhet të përputhet me barkodin në faqen e konfirmimit të formularit DS-160 për të garantuar një proces të sigurt vizash. Nëse barkodet nuk përputhen dhe ky problem nuk korrigjohet të paktën dy ditë para datës së intervistës, takimi do të anulohet automatikisht. Në këtë rast, aplikantët duhet të caktojnë një takim të ri për të vijuar me procesin e aplikimit për vizë.