Antonio Lushi është vetëm 15 vjeç, por pasioni i tij për gazetarinë i ka dhënë një zë të veçantë në qytetin e Elbasanit. Me një podcast personal ku interviston figura lokale dhe trajton çështje sociale, ai ka bërë për vete publikun, duke treguar se gazetaria nuk njeh moshë, por shpirt dhe përkushtim. Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, Antonio na rrëfen më shumë rreth rrugëtimit të tij, frymëzimit, sfidave dhe ëndrrave për të ardhmen.

Antonio, sot kemi kënaqësinë të zhvillojmë një intervistë dhe besoj se jemi në rregull për gjithçka.
Faleminderit nga zemra për intervistën.
Po bëhet gati një vit e gjysmë që jam larguar heshturazi nga bota mediatike, nga zhurma e kamerave dhe dritat e intervistave. Ishte një heshtje e qëllimshme, një pauzë që më duhej për të gjetur veten, jo më në mikrofon, por mes vargjeve të poezive dhe faqeve të librave. Një pushim për të dëgjuar zërin tim pa e transmetuar, për të kuptuar çfarë dua të jem kur askush nuk më sheh. Ishte gjithashtu një periudhë për të dhënë maksimumin në mësime, për t’u përqendruar te shkolla dhe te zhvillimi im personal, pa e humbur kurrë pasionin që më shtyn të flas, të shkruaj, të krijoj.
Por për tu kthyer me shumë ndryshime në jetën time, dhe duke sjellë ide më inovative e mediatike se kurrë për Elbasanin.
Antonio, si është të konsiderohesh gazetari më i vogël në Shqipëri? Të duket përgjegjësi apo krenari?
E ndjej si një përkëdhelje që vjen me përgjegjësi. Ndonjëherë, më duket sikur të jesh “më i vogli” është një emër i përkohshëm, vit pas viti do vijë dikush tjetër më i ri. Por ajo që dua të mbetet, është që edhe në moshë të vogël mund të flasësh si i rritur, jo për të treguar veten, por për të zbuluar të tjerët.
Si lindi konkretisht pasioni yt për gazetarinë? Mbani mend ndonjë moment të veçantë që të ka shtyrë drejt kësaj rruge?
Ka qenë një ndjesi që më ka shoqëruar që i vogël. Më pëlqente të dëgjoja rrëfime, të kuptoja çfarë kishte pas fjalëve, pas heshtjes. Një mbrëmje dëgjova një emision ku një njeri fliste për një humbje e sukses të madh personal, mënyra si rrëfente, si gazetari e pyeste, më preku. Atëherë kuptova që gazetaria nuk është thjesht informacion, por edhe emocion. Dhe vendosa të afrohem më shumë me të duke hapur nje podcast.
Shumë të rinj në moshën tënde kanë pasione të tjera, pse ti zgjodhe pikërisht gazetarinë?
Ndoshta sepse gazetaria është një mënyrë për të qenë gjithmonë nxënës, i njerëzve, i botës, i jetës. Nuk më tërheq ideja e të qenurit në qendër, por më tërheq mundësia për të qenë i pranishëm kur dikush hap zemrën. Dhe kjo më ndodh sa herë ndez mikrofonin.

Mund të na tregosh si lindi ideja për të krijuar një podcast? Çfarë të frymëzoi?
Fillimisht ishte thjesht një dëshirë për të komunikuar. Por sa më shumë mendoja, aq më shumë kuptoja që mungonte një hapësirë ku të rinjtë të flisnin ndryshe. Një vend për biseda të qeta, pa show, pa maska. Dhe kështu, lindi ideja për podcastin tim pas ftesës nga një gazetare elbasanase Entela Skora Abazi në një intervistë. Ky podcast më shumë sesa një projekt personal, u bë një platformë me vizion më të gjerë.
Si ishte procesi i organizimit të gjithë kësaj nisme nga ana teknike dhe krijuese?
Në fillim, çdo gjë ishte spontane. Mësoja vetë gjithçka nga montazhi, tek përgatitja e pyetjeve. Me kalimin e kohës, fillova të krijoj një stil, një ritëm. Një podcast nuk është thjesht “pyetje-përgjigje” është një bashkëbisedim që duhet të ketë frymë, drejtim dhe ndjeshmëri. Nga ana teknike, mësoj çdo ditë. Por krijimi është pjesa që më vjen natyrshëm.
Çfarë temash trajton më shpesh në episodet e tua? Ka ndonjë temë që të ka prekur veçanërisht?
Më pëlqejnë temat që i përkasin jetës së zakonshme, por që fshehin thellësi. Si për shembull, një nga episodet që më preku më shumë ishte biseda me Rita Petron , ku folëm për shtëpinë botuese “Albas”. Ishte më shumë se histori suksesi ishte tregimi i një ëndrre që kalon vite të tëra në sirtar dhe më pas bëhet gjigande. U ndjeva pjesë e asaj ëndrre për pak minuta.

Çfarë të thonë personazhet që vijnë në podkastin tënd? Si ndihesh kur sheh që ata e vlerësojnë punën tënde?
Shumë prej tyre befasohen nga thellësia e pyetjeve. Nuk presin që një djalë 15-vjeçar të vijë pa paragjykime të një adoleshenti, por me kthjelltësi e ndjeshmëri. Kam marrë shumë fjalë të mira, ndonjëherë më bëjnë të ndalem dhe të reflektoj me mendjen time. Më japin kurajo për të vazhduar.
A ka ndonjë intervistë që e konsideron më të veçantën apo më të suksesshmen deri tani?
Po. Intervista me Natasha Shuteriqin më ka mbetur në mendje. Ishte një bisedë e gjatë, me shumë kujtime, me shumë mesazhe për fëmijërinë, për letërsinë. Ajo është një shkrimtare që nuk shkruan vetëm për fëmijët, por për fëmijën brenda çdo njeriu. Dhe mua më preku shumë.
Si arrin ta menaxhosh kohën mes shkollës dhe podcastit? A ndikon kjo te mësimet?
Ndonjëherë është sfidë, por kam mësuar të vendos përparësi. Jam nxënës ekselent dhe kjo më mban në një lloj presioni. Nuk është e lehtë, por kur di pse e bën diçka, gjen kohë. Edhe nëse ndonjëherë fle pak.

A ke ndonjë orar të përcaktuar për të punuar me projektin tënd mediatik?
Nuk është fiks. Shpesh punoj natën, kur gjithçka është më e qetë, frymëzohem shumë. Shkruaj, mendoj, planifikoj. Kam disa ide që me mbështetjen e institucioneve të ndryshme mund të realizohet, një prej tyre lidhet me një projekt inovativ rinor, me rrënjë në Elbasan, por me sy nga e gjithë Shqipëria. Do vijë me kohën e vet.
Kush të ka mbështetur më shumë në këtë rrugëtim? Si ka qenë reagimi i familjes kur e kuptuan që ti kishe një pasion kaq të madh?
Prindërit më kanë mbështetur gjithmonë si pasion. Jo si profesion. E kuptoj jemi në Shqipëri. Edhe të jesh kirurg nuk të garanton stabilitet, jo më gazetar. Por më besojnë. Dhe kjo mjafton. Më lejojnë të rritem në drejtimin që ndiej, edhe nëse ai drejtim s’është i sigurt.
Je ndjerë ndonjëherë i vetëm në këtë rrugë, apo ke pasur gjithmonë përkrahje?
Jam ndjerë shpesh, por falë Zotit kam pasur përkrahje. Shpesh nga njerëz që nuk i prisja. Kam miq më të mëdhenj në moshë, nga fusha të ndryshme: art, kulturë, madje edhe në politikë, që më kanë qëndruar pranë, më kanë këshilluar e mbështetur dhe unë e vlerësoj shumë këtë. Do të veçoja Iliriana Sulkuqin, shkrimtare e poete e qytetit tonë, që unë e thërras nëna Iliriana. Në hapat e parë se bashku me miqtë e saj të misionit “Kujtesë për Vazhdimësi”, më kanë mbështetur e promovuar.
Çfarë mendimi ke për ndikimin e teknologjisë tek të rinjtë sot? A ndihmon apo shpërqendron?
Varet si e përdor. Teknologjia është si një thikë kuzhine me dy anë, mund të krijosh, por mund edhe të lëndosh. Nëse mëson ta përdorësh për të ndërtuar, për të folur, për të mësuar është bekim. Por kur të bën të harrosh veten, bëhet pengesë.

Lexon shpesh? Çfarë lloj librash të pëlqejnë më shumë dhe pse i konsideron “thesar jete”?
Lexoj çdo ditë. Më pëlqejnë librat që nuk më lënë rehat. Letërsia që nuk të bën të ndihesh i zgjuar, por që të ngre pyetje. Autorët shqiptarë kanë një ndjeshmëri të lehtë e të thellë ,më frymëzojnë shumë. Librat për mua janë thesare sepse ndihmojnë të kuptosh veten pa pasur nevojë të flasësh.
Çfarë ëndërron për të ardhmen tënde në gazetari? E sheh veten si gazetar profesionist pas disa vitesh?
Nuk e di. Ndonjëherë e shoh veten me mikrofon, ndonjëherë me bisturi. Diku mes gazetarisë dhe mjekësisë fshihet vetja ime. Por gazetaria do mbetet gjithmonë aty si pasion, si mënyrë për të kuptuar botën.
Nëse do të kishe mundësinë të intervistoje një personazh të njohur jashtë Shqipërisë, kush do të ishte dhe pse?
Do të doja të intervistoja Mira Muratin, një shqiptare që jo vetëm ka ndërtuar karrierën e saj në qendër të teknologjisë botërore, por edhe ka ruajtur me dinjitet emrin dhe origjinën. Ajo përfaqëson një model të rrallë ku përparimi profesional dhe krenaria kombëtare nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por ecin së bashku. Në një kohë ku shumë të rinj kërkojnë të largohen, Mira është prova që suksesi nuk ka pse të fshijë rrënjët. Do të doja ta pyesja për sfidat, për ndjesinë që ndjen kur përmendet si “shqiptarja që ndryshoi botën e inteligjencës artificiale”, dhe për atë lloj patriotizmi të heshtur, që nuk shfaqet me flamuj e britma, por me vepra.

Çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që kanë pasion, por hezitojnë ta ndjekin?
Pasioni nuk është diçka që vjen me siguri. Ai është risk. Por nëse nuk e ndjek, mbetet brenda teje dhe të tret. Ndaj niseni, edhe nëse nuk dini saktësisht ku do dilni. Rruga bëhet duke ecur. Dhe gjithmonë, dikush do t’ju dëgjojë.
Intervistoi: Fatmir Popja

