Një deklaratë e fortë dhe që pritet të ndezë debat në skenën politike shqiptare është bërë nga analisti Baton Haxhiu, i cili ka akuzuar drejtpërdrejt kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si faktor kyç në qëndrimin e Edi Rama në pushtet.
Gjatë një interviste në studion e lajmeve të MCN TV, Haxhiu u shpreh se Berisha, në vend që të jetë një alternativë reale opozitare, ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e Ramës në krye të qeverisë.
“Ka vite që e them që aleati kryesor i zotit Rama në politikën e gjatë qeverisëse është Sali Berisha. Është i vetmi njeri që i jep mandat. Sidomos mandatin e katërt e ka nga ai,” deklaroi ai.
Analisti shkoi edhe më tej në kritikën e tij, duke theksuar se sipas tij, lidershipi i Berishës nuk ofron ide politike bindëse për qytetarët, por përkundrazi prodhon një klimë që i shtyn votuesit drejt alternativës së Ramës.
“Berisha nuk ka ide politike. Ka vulgaritet dhe ky vulgaritet i çon qytetarët te vota ndaj Ramës. Ai është armiku më mik i Edi Ramës në të paktën 6 vitet e fundit,” u shpreh Haxhiu.
Kjo deklaratë pritet të nxisë reagime të forta në kampin opozitar, në një kohë kur përplasjet politike janë intensifikuar dhe vendi po i afrohet sfidave të reja elektorale.

