Nga Fatmir Popja
Një arritje e veçantë për alpinizmin shqiptar u shënua javën e kaluar me ngjitjen e suksesshme në majnë Dufourspitze (4634 m) të masivit Monte Rosa, një nga majat më të larta dhe më sfiduese të Alpeve zvicerane.Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana”, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor duke përfshirë një ekip të përzgjedhur alpinistësh nga disa qytete të Shqipërisë.

Pjesëmarrës në këtë ekspeditë ishin,Florian Sina nga Tirana, Dion Biça nga Elbasani,Detjon Skendaj nga Tirana,Luan Xhoxhaj nga Berati,Armand Bakalli nga Elbasani dhe Shpëtim Goga nga Kruja.Monte Rosa ndodhet në kufirin mes Zvicrës dhe Italisë dhe përfshin një nga terrenet më të kërkuara nga alpinistët në Evropë. Dufourspitze, me lartësinë e saj prej 4634 metrash, është maja më e lartë në tokën zvicerane dhe konsiderohet një sfidë e vërtetë për ngjitësit, për shkak të kushteve të vështira alpine dhe terrenit teknik.

Ngjitja u realizua me sukses, pa incidente dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e cilësisë dhe pranisë së alpinizmit shqiptar në skenën ndërkombëtare. Sipas organizatorëve, përgatitja fizike, përvoja dhe bashkëpunimi në grup ishin faktorët kyç për realizimin me sukses të ekspeditës.

Përfaqësues nga Shoqata Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana thanë për mediat:“Ky ishte jo vetëm një sukses sportiv, por edhe një arritje që përforcon profilin ndërkombëtar të alpinizmit shqiptar. Me përkushtim, disiplinë dhe bashkëpunim, arritëm një nga majat më prestigjioze të Evropës, duke përçuar një mesazh të qartë,shqiptarët janë të pranishëm dhe të aftë në çdo lartësi.”Ky aktivitet është një vazhdimësi e përpjekjeve për të promovuar alpinizmin si sport dhe mënyrë jetese në Shqipëri, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e respektimit të natyrës dhe vlerave malore.


