Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) njoftoi sot përfundimin e fazës së verifikimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit të KED, procesi përfundoi edhe për kandidatin e shtatë dhe të fundit, kryetarin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Bibën, i cili tërhoqi kandidaturën e tij.
“Gjatë kësaj mbledhjeje, KED shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe vendosi për përfundimin e procedurës së verifikimit të Denar Bibës për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë më 11 dhjetor 2024, për shkak të tërheqjes së tij,” thuhet në njoftimin për mediat.
Me këtë, KED ka përfunduar fazën e verifikimit të kandidatëve për vendin vakant të Holta Zaçajt. Gjatë këtij procesi, Këshilli ka vlerësuar përputhshmërinë e kandidatëve me kriteret ligjore dhe kushtetuese, duke shqyrtuar dokumentacionin, pasurinë, integritetin dhe përvojën profesionale të tyre.
Pas përfundimit të verifikimit, procesi kalon në fazën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve sipas kritereve ligjore dhe rregulloreve të KED. Ky vlerësim synon të sigurojë një proces të drejtë, transparent dhe objektiv, duke garantuar që kandidatët më të kualifikuar dhe me integritet të përfaqësojnë standardet më të larta profesionale dhe etike në Gjykatën Kushtetuese.
Kandidatët e kualifikuar për vendin vakant:
- Alban Toro
- Alma Faskaj
- Asim Vokshi
- Florian Ballhysa
- Genta Tafa Bungo
- Naureda Llagami