Një turiste nga Australia ka pësuar një dëmtim serioz në këmbë, me pasojë një krisje në pjesën e kaviljes, gjatë eksplorimit të një rruge malore në zonën turistike të Valbonës. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar dhe, menjëherë pas njoftimit të emergjencës, është aktivizuar grupi i kërkim-shpëtimit të Valbonës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Sipas burimeve zyrtare, ekipi i shpëtimit ka nisur operacionin në orën 20:20, nga pika referuese “Besniku”, te “Kafe Emanueli”, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur rreth orës 21:15. Grupi i ndërhyrjes përbëhej nga:
- Ermal Hysaj
- Gaz Selimaj
- Juli, infermier i zonës
- Përfaqësues të Policisë së Shtetit
Turistes i është dhënë ndihma e parë mjekësore në terren dhe më pas, me mbështetjen e një banori të zonës nga kafe “Simoni”, është siguruar një kalë për transportimin e saj në zonën më të afërt të aksesueshme për automjete.
Pas mbërritjes në pikën e grumbullimit, turistja është transferuar me ambulancë drejt Spitalit të Bajram Currit dhe më pas në Spitalin e Gjakovës për trajtim të specializuar.
Kjo ndërhyrje e shpejtë konfirmon edhe një herë rëndësinë e ngritjes dhe funksionimit të ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit në zonat malore të Shqipërisë, ku rritja e fluksit të turistëve kërkon një përgjigje të shpejtë dhe profesionale në raste emergjente.
Autoritetet vendore dhe banorët e zonës shprehin mirënjohje për reagimin e menjëhershëm të grupit të Valbonës, Policisë së Shtetit dhe personelit mjekësor të urgjencës.