Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh
Mëngjes i qetë vjeshte. Dielli ngroh brigjet e Durrësit dhe valët përplasen me ritëm të butë mbi shkëmbinj. Agim Çela hap dyert e xhelaterisë buzë detit, në sektorin “Vollga”. Aroma e akullores së freskët dhe e frutave të stinës përzihen me aromën e kripës së detit.
Kjo është festa e përditshme: punë dhe kënaqësi. Poshtë diellit të ngrohtë, dyert e xhelaterisë të joshin dhe Agim Çela, me buzëqeshje tipike, përshëndet klientët. Janë fëmijë që vrapojnë me konet në dorë, të rritur që ndalojnë për një frymëzim të ëmbël dhe turistë që vëzhgojnë detin dhe lëvizjen e plazhit.
Kujdesi dhe buzëqeshja që shpërndan tek klientët, nuk fshijnë një të kaluar të pasur dhe të ndritshme. Agim Çela nuk është thjesht xhelatieri i njohur. Është figurë historike e futbollit durrsak, qytetar model dhe njeri që e mbajti gjithmonë nostalgjinë për shokët e futbollit. Por kjo xhelateri, përtej shijes së akullores, është kthyer si vend i shenjtë, vend ku historia e futbollit durrsak gjallëron përmes njeriut të veçantë, Agim Çela.
Fillimet e një mjeshtëri
Agim Çela u lind më 5 korrik 1957. Fizikisht i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ftohjeve, nuk dukej aspak si futbollist i ardhshëm. Por i ati, Bexheti, i vetëdijshëm për pasionin dhe durimin e djalit, e çoi tek i famshmi portier Sulejman Maliqati, trajner i të rinjve te “Lokomotiva”.
-Ma merr djalin të forcohet, sepse ftohet shpesh, i tha Bexheti miqësisht Maliqatit.
-Në fillim ishte e vështirë. Ftohesha shpesh. Ndonjëherë qëndroja ditë të tëra në shtrat. Por ëndrra ime ishte futbolli. Kur Sulejman Maliqati më mori nën kujdes dhe më mësonte rregullat e fushës dhe disiplinën, ndjeva se po fillonte rruga drejt diçkaje të madhe.
Sulejmani e pa djaloshin dhe i dha këshilla të thjeshta, por me peshë:
-Nuk ka forcë më të madhe se dëshira. Nëse përpiqesh, do bëhesh i fortë.
Nga Maliqati, talenti i tij i hershëm u vlerësua, por sfida e vërtetë nisi me trajnerin historik të “Lokomotivës”, Petraq Ikonomin, që e mbajti në ekipin e të rinjve.
-Ikonomi më tregoi se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një ekipi që nuk harron askënd dhe që ka respekt për çdo lojtar. Petraq Ikonomi do të ishte trajneri i parë që besoi në ardhmërinë e tij.
Kujdesi i Skënder Jarecit, trajner me sy për talentin
Skënder Jareci, ish-futbollist i viteve ’60, asi i “Dinamos” dhe i ekipit kombëtar, kishte sy të mprehtë për lojtarët e rinj. Pa potencialin e Agim Çelës që kur ishte 18-vjeçar dhe e vendosi menjëherë në formacion.
Skënder Jareci nuk ishte vetëm trajner, por mbështetje, mentor i cili e udhëhoqi në vitet e para të karrierës, duke ia dhënë sigurinë dhe guximin që një i ri kishte nevojë. Nga dita e parë në formacion filloi epopeja e futbollistit që do të mbahet mend si simbol i qendërmbrojtësit të lirë, i sakrificës dhe besnikërisë ndaj klubit dhe shokëve.
-Skënder Jareci nuk ishte thjesht trajner, por mentor, mbështetje dhe burim frymëzimi. Më ka dhënë besim kur unë akoma nuk e besoja vetë. Më thoshte: “Luaj, mos u tremb. Ti do të bëhesh mbrojtësi që çdo ekip do të dojë. Bëj lojë kolektive dhe luaj për ekipin, jo për veten.” Kishte sy për lojtarët që mendojnë lojën dhe jo vetëm për trupin, rrëfen Agimi.
Skënder Jareci pa tek Agimi potencialin që të tjerët shpesh nuk e shikonin. Pa talentin dhe i besoi. Agimi luajti dhe mbeti gjithmonë i gatshëm të japë më të mirën, duke vendosur shpirtin dhe zemrën në çdo ndeshje. Skënderi e ndihmoi të kuptojë se futbolli nuk është vetëm teknikë dhe fizik, por pasion, sakrificë dhe respekt për ekipin.
Epopeja e “Lokomotivës”
Vitet ’70 dhe ’80 ishin kohëra të artë për futbollin e Durrësit. Agimi luajti si qendërmbrojtës i lirë, krahas emrave të shquar të ekipit: vëllezërit Ballgjini, Gjovalin Engjëlli (humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti), Stavri Nica, Bashkim Koka, Osman Kapidani, Edmond Miha, Il Hajdari, Alfred Filjari, Josif Ristani, Agim Likmeta, Niko Jani, Lufti Sejdini, Bujar Meta, vëllezërit Manushi dhe shumë të tjerë. Portierët e ekipit Ajazi, Dollaku, Feshti, Lekbello ishin mburoja e sigurt, ndërsa shokët e sulmit si Bujar Hado, Agim Bulku dhe Fatmir Hima plotësonin mozaikun e harmonishëm sportiv.
-Lojtarët e atyre viteve nuk ishin vetëm shokë, ishin vëllezër. E kaloja çdo ditë me ta, si në fushë ashtu edhe jashtë. Nuk ka gjë më të bukur se të kthehesh dhe të shohësh shokët e dikurshëm duke qeshur bashkë, kujton Agimi.
Agim Çela pati nderin të grumbullohej edhe në ekipin kombëtar, megjithëse nuk luajti asnjë ndeshje. Ky vlerësim tregon jo vetëm aftësitë e tij, por edhe respektin që kishte fituar mes profesionistëve të futbollit shqiptar.
Ishte i gëzuar dhe mezi e besonte. Të grumbulloheshe me ekipin kombëtar në atë kohë, krahas yjeve më të ndritur të topkëmbës shqiptare, ishte privilegj, ishte emocion që nuk harrohet. Çela, shumë modest, është i vetëdijshëm se ky vlerësim nuk ishte vetëm për të, por për gjithë ata që e mbështetën gjatë rrugës.
-Çdo ndeshje ishte betejë dhe festë njëkohësisht. Ne nuk luanim vetëm për pikët, por për qytetin, për tifozët, për miqtë. Tani, kur shikoj shokët e mi në xhelateri, e kuptoj sa e fortë ka qenë ajo lidhje, nënvizon me mall Çela.
Gjatë karrierës së tij, Agimi u drejtua nga 7 trajnerë të shquar: Sulejman Maliqati, Skënder Jareci, Petraq Ikonomi, Kristaq Toçi, Bejkush Birçe, Ed Zalla dhe Edmond Miha. Secili la gjurmën, secili i mësoi se sakrifica, puna dhe respekti janë thelbësore për suksesin. Çdo trajner i dha një mësim, çdo ndeshje la një kujtim të paharrueshëm.
Çela njihej për shpirtin luftarak, por edhe për kolektivitetin. Ulte kokën në fushë, por gjithmonë e mbanin mbi supe shokët dhe qyteti.
Ndërtimi i jetës pas futbollit – xhelateria, ëmbëlsia e akullores dhe e shpirtit
Pas vitit 1989, Agim Çela la fushën e blertë dhe iu përkushtua një jete tjetër: biznesit modest, që sot është bërë emër pikant në qytet. Së bashku me të vëllanë Mondin, drejton xhelaterinë më të njohur të Durrësit, vend ku turistët dhe vendasit ndalen për të shijuar akulloret e famshme të Çelës. Lokali buzë detit është bërë pikë takimi jo vetëm për ëmbëlsira, por edhe për biseda, kujtime dhe miqësi të vjetra.
-Çdo ditë e nis me detin dhe diellin. Më pas më vjen mirë kur shoh fëmijët që shijojnë akulloren dhe të rriturit që kthehen në kohën e tyre. Por më e bukura është kur shokët e vjetër të futbollit vijnë dhe rrimë bashkë, duke kujtuar vitet e arta. Bisedat tona janë të gjalla, plot humor dhe respekt.
Xhelateria e Agim Çelës në Vollga është më shumë se një vend për akullore. Aty gjallërohet historia e futbollit, kujtimet e rinisë dhe miqësia e pafundme. Shija e akullores përzihet me shijen e kujtimeve të fushës, me qeshjet dhe dialogjet që rikthejnë kohën e artë. Është portë për nostalgjinë dhe për historinë e qytetit. Nga brenda, dritaret e mëdha të lejojnë të shohësh plazhin, turistët që ecin ngadalë dhe detin që shkëlqen nën diellin e vjeshtës. Simfoni e qetësisë dhe jetës qytetare.
Xhelateria është edhe simboli i natyrës së tij njerëzore: i dashur, human, fisnik, i gatshëm të dëgjojë dhe të përqafojë kujtimet e të tjerëve. Është vendi ku mban shokët afër, i respekton duke sjellë mbresa nga vitet e shkuara. Xhelateria në “Vollga” është vendi ku histori, miqësi dhe ëmbëlsira bashkohen. Shija e akullores, freskia e detit dhe zërat e shokëve rikthejnë diskun e memories.
Kjo është fuqia e Agim Çelës. Bashkon të rinjtë dhe të vjetër, kujtimet dhe të tashmen, sportin dhe kënaqësinë e jetës. Çela është si akullorja më e ëmbël që ka shërbyer ndonjëherë. Natyrë e butë, e njerëzishme, bamirës, xhentëllmen i pacak. Mban shokët afër, sjell çdo detaj dhe është gjithmonë mik i madh, dritë për ata që e njohin.
Qetësia në Qerret dhe udhëtimet me Almën
Agimi nuk është thjesht futbollist apo biznesmen. Është qytetar i vërtetë dhe len kokën për Durrësin e tij. Ka emër të madh dhe të merituar në këtë qytet. Xhelateria e Çelës në “Vollga” lidhet me banesën në Qerret të Kavajës. Deti i “Vollgës” dhe deti i Qerretit bashkohen simbolikisht me jetën e tij. Është një jetë e ndërtuar mbi miqësi, respekt dhe dashuri për njerëzit.
Jeton me gruan Lidën, me të cilën i pëlqen të udhëtojë, të vizitojë vende të ndryshme të botës dhe të marrë frymëzimin për jetën e përditshme.
Shtëpia e tyre në Qerret të Kavajës ofron qetësi dhe relaks, larg zhurmës së qytetit, ku ajri i pastër dhe peizazhi natyror e mbushin me energji. Kjo mbetet simboli i jetës së bukur dhe të ndershme që ka ndërtuar.
-Jeta është udhëtim, por gjithmonë kthehesh tek ata që e duan të kaluarën dhe respektojnë historinë, thotë Agimi.
Vlerësimet dhe mirënjohja
Në anketën e shpallur nga gazeta “Teuta Sport”, Agim Çela u rendit në 11-shen e futbollistëve më të mirë historikë të “Teutës”. Në këtë histori të përkryer, është i vendosur krahas 10 emrave të tjerë: Teli Ciko, Ardian Abazi, Niko Jani, Osman Kapidani, Alfred Filjari, Abdulla Duma, Haxhi Ballgjini, Maksut Leshteni, Niko Bespalla dhe Fatmir Hima.
Është vlerësim që nuk reflekton vetëm aftësitë sportive, por edhe karakterin e palëkundur, të fortë, përkushtimin ndaj qytetit, komunitetit dhe respektin për shokët. Agim Çela është figurë që bashkon breza dhe ruan kujtimet e një Durrësi të gjallë.
Simboli i detit dhe i jetës
Deti, dielli, era e lehtë, e gjithë kjo natyrë e bukur rreth xhelaterisë së Çelës simbolizon gjithçka që përfaqëson: qetësi, bukuri, punë të ndershme, shoqëri dhe kënaqësi që e bëjnë jetën të bukur. Çdo akullore është një përqafim i fëmijërisë dhe urë lidhjeje me të kaluarën dhe miqtë.
Ndërsa dielli ngrihet mbi “Vollga” dhe valët përplasen në breg, vazhdon të jetojë jetën me pasion, modestinë dhe krenarinë e njeriut që ka dhënë gjithçka për sportin, për shokët dhe për qytetin.
Agim Çela mbetet beniamini i tifozërisë durrsake, njeriu i sakrificës dhe dashurisë për shokët, simbol i qytetarisë. Ndërsa dielli përplas rrezet mbi det, Agimi vazhdon të bashkojë të kaluarën me të tashmen, duke dhënë shembull për të gjithë.
Çdo ditë e fillon me detin dhe e mbyll me zemrën në dorë, që ndriçon zemrat e njerëzve rreth tij.
Legjendë e gjallë
Në “Vollga” dhe Qerret, në çdo hap buzë detit, në çdo akullore që shijon një turist apo një fëmijë, ndjen fuqinë dhe energjinë e njeriut që ka dhënë gjithçka: Agim Çela.
Në çdo buzëqeshje, çdo kujtim dhe çdo ndeshje të shkuar, Agim Çela është gjithmonë i njëjti: simbol i sakrificës, dashurisë dhe qytetarisë së pastër. Nuk harron shokët, kujton çdo ndeshje dhe i mban afër, gjithmonë i gatshëm të japë një këshillë, një buzëqeshje ose një përqafim.
Njeri i detit, njeri i punës, njeri për shokët dhe miqtë, Agim Çela vështron të djeshmen dhe të sotmen e tij. Ka besim tek e nesërmja, që sigurisht vjen edhe më e lumtur në krah të fëmijëve dhe trashëgimtarëve të tyre. Ecën qetë dhe pa u ngutur. Në çdo hap përshëndetet nga kalimtarët. Janë durrsakët e tij dhe jo vetëm.
Buzëqeshja i qëndron si trëndafil tërë kohën, aroma e së cilës deh një Durrës të tërë. Është një e dehur ëndërruese që ky djalë i ëmbël i Durrësit dhuron me shumë kënaqësi.
Rradhë për ty, Agim Çela. Janë rradhë të merituara.