Deputeti i Elbasanit, Adi Qose, komentoi në lidhje me seancën e parë të legjislaturës së re, ku u prezantua programi qeverisës 2025-2029, e cila sipas tij u kthye në një “shfaqje të shëmtuar dhune”.
Në një postim në rrjetet sociale, Qose u shpreh se ata që flisnin në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, në fakt e kishin shkelur atë përmes protestave dhe akteve të tyre.
Ai theksoi se ajo që duhej të ishte një arenë debati parlamentar mbi vizionet për Shqipërinë 2030, u transformua në një shfaqje të inskenuar të individëve që sipas tij kërkojnë ende të mbajnë peng vendin pas 35 vitesh, përmes dhunës dhe linçimit politik.
Qose siguroi qytetarët se “Ky mandat historik për Shqipërinë në Bashkimin Europian kurrsesi nuk do të mbahet peng, as për hallet e pakicës, dhe as për deficitet e 11 majit.”
Ai përfundoi urimin e tij me sukses për kabinetin e ri qeveritar dhe kolegët në Parlament dhe Komisione, duke i inkurajuar për punën në drejtim të Shqipërisë 2030.