Nga Lutfi Dervishi
A vriten kuajt?
Nuk është titull poezie. As metaforë.
Është një pyetje e thjeshtë, brutale, e drejtëpërdrejtë.
A vriten kuajt?
Kafshët më të buta që kemi njohur.
Qenie të heshtura që flasin me sy, e që janë miq me ne.
Në Llogara, në zonën e “Gropave të Pirit”, dikush ka qëlluar me armë gjahu 22 kuaj.
Një masakër.
Një akt prej egërsire.
4 kuaj ngordhën menjëherë. Të tjerët janë plagosur, ose janë fshehur në pyll.
Çfarë mendje e kalbur ngre pushkën ndaj një kali?
Çfarë urrejtjeje mund të kesh që të qëllosh një kal!
A ishte hakmarrje për konkurrencë guidash?
Apo thjesht një akt ç’mendurie për të provuar se asgjë s’është e shenjtë?
Autorët nuk dihen ende.
Policia “ka referuar materialet në Prokurori”.
Dhe pyetja: a vriten kuajt mbetet në eter!
Ne, njerëzit, sa herë duam të fyejmë dikë, e krahasojmë me kafshët.
Por pas kësaj që ndodhi, kafshët kanë gjithë të drejtën të pyesnin me habi e tmerr në gjuhën e tyre:
“Çfarë lloj njeriu je ti, që na vret kështu?”
Sepse kjo nuk është thjesht një akt barbar.
Është diçka që as kafsha nuk do t’ia bënte kafshës.
Sepse, edhe egërsira ka një kod të vetin. Kod që sot i mungoi atij që qëlloi kuajt!