A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Nga Alban Daci

Para se të argumentojmë këtë, duhet të ngremë një pyetje themelore: a kërkon, ose a ka ambicie Salianji për të qenë kryetar i PD?

Burgu për Salianjin dukej se kishte qenë një shenjë për një reflektim të thellë të tij për mënyrën e të bërit politik, jo në raport me brenda llojit, por me kundërshtarët. Në intervistën e parë u duk qartë se nuk ishte më për akuza të forta, por për politikë të fortë ndaj kundërshtarit. Daljes së tij nga burgu deshi t’i japë nuancat e një njeriu që kishte sakrifikuar për kauza dhe, për pasojë, tentoi të testonte nëse do e prisnin si hero. Në fakt, përveç intervistave që dha duke treguar sesi kishte qenë jeta në burg dhe faktit se do të shkruante një libër, nuk na dha ndonjë sinjal të fortë për të marrë nisma të forta brenda PD.

Kjo ndoshta, sepse gjatë kohës që kishte qëndruar në burg, shumë gjëra kishin ndryshuar. Rama kishte fituar mandatin e katërt dhe Berisha ishte konfirmuar në opozitë, duke e blinduar partinë me të besuarit e tij.

Prezantimi i Salianjit në PD pas daljes u përpoq të ishte prej heroi me ndonjë kronikë mediatike, por në fakt ai vetë nuk u prit si i tillë. Ndoshta u prit me indiferentizëm dhe xhelozi nga ata kolegë, për të cilët, për kauzën, kishte pranuar të sakrifikonte edhe lirinë e tij. Duhet thënë se ekzistonte një mbështetje mediatike dhe duket se ka një tendencë të sforcuar që duan ta projektojnë si të ardhmen dhe lider të PD.

Ajo që duket është fakti se Salianji ka mbajtur një qëndrim indiferent në raport me të tjerët brenda PD dhe është përpjekur të krijojë një profil ndryshe. Megjithatë, asnjëherë nuk ka marrë iniciativën për të dhënë sinjale sfiduese ndaj Berishës. Ndoshta është duke testuar terrenin dhe duke parë mundësitë për aksione të mundshme politike brenda PD. Në media u aludua sikur donte të krijonte një subjekt të ri, por pastaj u hodh poshtë po nga ai vetë.

Tashmë, përtej hamendësimeve, Berisha deklaroi se do të ketë zgjedhje në PD dhe se ai do të kandidojë për një mandat tjetër. Ku është dallimi mes Salianjit sot dhe Ramës në atë kohë?

Edi Rama ishte një figurë kontraverse si individ, por vinte nga një familje me kontribute të rëndësishme në jetën publike, sidomos falë babait të tij. Familja e tij ishte e njohur gjerësisht në familjen e të majtës shqiptare. Edhe pse kishte jetuar jashtë, Rama kishte kontribute të rëndësishme ditore përmes shkrimeve në jetën publike të Shqipërisë, para se të bëhej ministër kulture. Postin e ministrit të Kulturës e shfrytëzoi për të promovuar veten, për shkak të oratorisë, qëndrimeve antikonformiste dhe vizionit të tij personal për qeverisjen e Shqipërisë.

Salianji nuk ka pasur mundësinë të ketë post ministror. Gjithashtu, para se të hynte në burg, nuk ka dalë nga rreshti i linjës së lidershipit të PD. Rama nuk u përfshi drejtpërdrejt në krizën e PS, ose në KPD e famshme, ndërsa Salianji, në krizën e brendshme të PD me 8 janar, ishte brenda në seli për ta mbrojtur nga Berisha, e pastaj shkoi dhe iu bashkua këtij të fundit.

Edi Rama pati mbështetjen e njeriut më të rëndësishëm të PS, Gramoz Ruçit, i cili kishte kuptuar se periudha e Nanos kishte mbaruar. Salianji nuk dihet nëse mund ta ketë sot një të ngjashëm me Gramozin brenda PD për ta mbajtur dhe për të mundur Berishën. Nuk ka, sepse pas rimarrjes së PD, Berisha i ka larguar të gjithë ata që mund të ishin të fuqishëm dhe një ditë mund t’i dilnin kundër. Gjithashtu, Nano kishte dhënë sinjale se ishte mërzitur nga politika dhe donte të largohej, ndërsa Berisha po jep çdo sinjal të mundshëm që nuk e ka ndërmend të largohet nga PD.

Ndoshta mund të aludohet se Salianji mund të ketë mbështetjen e Bardhit. Megjithatë, ky i fundit ka ambicie personale dhe, po ashtu, brenda forumeve të PD, duke mos u rikonfirmuar si Sekretar i Përgjithshëm, nuk ka asgjë në dorë për ta mundur Berishën. Duke mbajtur Berisha Sekretar të Përgjithshëm Nokën, dëshmon qartë se ai është përgatitur për çdo skenar për t’i rrëmbyer partinë. Madje është i përgatitur që partinë të mos ia rrëmbejnë në asnjë lloj forme. Mund të konsiderohet çështje e mbyllur: për sa kohë që Berisha nuk ka vullnetin e tij për t’u larguar, atë nuk mund ta largojë njeri.

A ka një skenar që Salianji të marrë PD-në? Mendoj se po, dhe kjo duket nga ekzistenca e një platforme mediatike që vazhdon ta promovojë për një sfidë të tillë.

A do t’ia dalë të marrë kreun e PD? Në politikë gjithçka mund të ndodhë, por aktualisht mendoj se është thuajse e pamundur.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Çlirim Balluku, kampioni që vrapoi me dinjitetin e heshtjes

Mes garës, dhimbjes dhe dritës/ 80 vjet një jetë,...

Trump tërhiqet nga vendimi për të dërguar agjentë federalë në San Francisko

Donald Trump njoftoi se po tërheq një mision federal...